Ish-kryeministri rus: Putin ka humbur kontrollin, nëse fiton Ukrainën e synon Baltikun

Ish-kryeministri rus: Putin ka humbur kontrollin, nëse fiton Ukrainën e synon Baltikun

19:16, 13/06/2022

“Nëse Ukraina bie, vendet e radhës që mund të sulmohen do të jenë ato të Baltikut”. Paralajmërimi serioz vjen nga Mikhail Kasyanov, që ka shërbyer dhe si kryeministri i parë i Presidentit Vladimir Putin. Politikani opozitar rus, as në ëndrrat më të këqija nuk e kishte imagjinuar që ish-shefi i tij do të niste një luftë të shkallës së gjerë ndaj Ukrainës.

Duke folur për AFP, Kasyanov, kryeministër i Rusisë nga viti 2000 deri në 2004-n, tha se pret që lufta të zgjasë deri në dy vite. Megjithatë, u shpreh i bindur se vendi i tij mund të rikthehet në rrugën e demokracisë. 64-vjeçari, që mbështeti raporte të ngushta me Perëndimin si kryeministër, tha se rezultati i luftës do të përcaktojë të ardhmen e Rusisë, ndërsa nënvizoi se është e rëndësishme që Ukraina të fitojë dhe kundërshtoi thirrjet që ky vend të bëjë lëshime territoriale për të rivendosur paqen.

Kasyanov kuptoi që ushtria e Moskës sulmonte vendin fqinj 3 ditë përpara 24 shkurtit, kur presidenti Putin drejtoi një mbledhje të këshillit të sigurisë. “Unë i njoh këta njerëz dhe duke i parë ata, vura re që Putin e ka humbur kontrollin. Jo në kuptimin mjekësor, por në aspektin politik. Unë kam njohur një Putin ndryshe”, tha Kasyanov.

Politikani opozitar beson se Putin do të zëvendësohet eventualisht nga një pasues marionetë që do të kontrollohet nga shërbimet sekrete. Kasyanov vlerëson se do të duhet thuajse një dekadë për të ndërmarrë një “deputinizim” dhe “dekomunizim” të Rusisë. “Por edhe kjo do të jetë e vështirë, veçanërisht pas kësaj lufte kriminale”, përfundoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco