‘Ballkani i Hapur është nismë serbe’/ Lavrov insiston: Rusia e mbështet, BE nuk donte që ta përkrahja

‘Ballkani i Hapur është nismë serbe’/ Lavrov insiston: Rusia e mbështet, BE nuk donte që ta përkrahja

20:31, 06/06/2022

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e quajti Ballkanin e Hapur nismë të Serbisë dhe tha se vendet perëndimore urdhëruan bllokimin e udhëtimit të tij në Beograd për të mos lejuar që ai të mbështeste këtë nismë.

“Shihet qartë se zyrtarët e Brukselit nuk kanë dashur që ne të konfirmojmë pozicionin tonë për Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe të shprehim përkrahjen për iniciativën e Beogradit, Ballkani i Hapur”, ka thënë Lavrov në një konferencë për mediat.

Ballkani i Hapur është zyrtarisht një nismë e themeluar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, për të lehtësuar kalimin e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve mes shteteve. 

Tre vendet kanë ftuar në këtë nismë edhe Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Por ndërsa Prishtina dhe Sarajeva kanë refuzuar, Mali i Zi ka deklaruar se do të marrë pjesë në samitin e ardhshëm, si vend vëzhgues.

Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mbyllën hapësirën e tyre ajrore për avionin që do të dërgonte në Beograd kryediplomatin rus.

Deklaratat e Lavrov sot zbardhën të vërtetën mbi këtë nismë, e cila prej kohësh nga opozita shqiptare dhe nga analistët është cilësuar si një projekt serbomadh.

Ndërkohë, sa i përket kundërshtimit të BE-së, kujtojmë se para disa ditësh, raportuesja e Shqipërisë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, deklaroi se kjo nismë bie ndesh me integrimin europian të vendit. 

“Nisma e Ballkanit të Hapur është diçka që varej nga vullneti dhe uniteti i vendeve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Kjo ishte diçka krejtësisht e propozuar jashtë rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe prandaj nuk jam personi i duhur për ta komentuar. Ajo që mund të them është se vazhdoj të besoj se rruga më e mirë përpara për Ballkanin Perëndimor është mes partnerëve të tij evropianë dhe përmes progresit të procesit të anëtarësimit. E kuptoj që për një shumicë të madhe të popullit shqiptar kjo është edhe dëshira e tyre,” deklaroi ajo.

Asnjë zyrtar i BE-së nuk ka deklaruar mbështetje për këtë nismë në emër të unionit apo të institucioneve të Brukselit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco