Bajram Begaj, President i ri i Shqipërisë

Bajram Begaj, President i ri i Shqipërisë

22:20, 04/06/2022

Republika e Shqipërisë ka zgjedhur sot një president të ri. Me 78 vota pro, 4 kundër dhe një abstenim, Kuvendi vendosi që president i Shqipërisë, pasardhës i Ilir Metës, të jetë Bajram Begaj. Menjëherë pas zgjedhjes së tij president, urime të shumta erdhën nga politikanë vendorë por jo vetëm, duke uruar Begajn për postin e ri.

I pari prej politikanëve në Kosovë që uroi presidentin Begaj ishte kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli. Pacolli shkroi se Begaj është emër i respektuar në Shqipëri dhe se ka bagazh dinjitoz ushtarak.

“Pas votimit në Kuvendin e Shqipërisë, me 78 vota pro, i dërgoj urimet e mia më të sinqerta Shqipërisë dhe mbarë popullit shqiptar me rastin e zgjedhjes së Presidentit të ri, z. Bajram Begaj. Një emër i respektuar në Shqipëri me një bagazh dinjitoz ushtarak. Me shpresë dhe besim që do të punon mbarë e mirë në interes të vendit dhe qytetarëve, pa dallim”, ka shkruar presidenti i AKR-së në një postim në Facebook.

Tashmë homologe e presidentit Begaj, Vjosa Osmani, uroi Begajn teksa tha se së bashku me të do t’i thellojnë raportet vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe se do të punojnë që t’i sjellin këto dy vende më afër BE-së.

“Urime të përzemërta për presidentin e sapozgjedhur të Shqipërisë, z. Bajram Begaj! Ju uroj suksese në rolin tuaj të ri dhe shumë të rëndësishëm. Së bashku do të punojmë që raportet vëllazërore ndërmjet Kosovës e Shqipërisë t’i thellojmë edhe më tej, si dhe t’i sjellim vendet tona më afër BE-së”, shkroi Presidentja në Facebook.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i uroi Begajt suksese në punën e tij si president.

“Parlamenti i Shqipërisë ka zgjedhur sot President të ri të vendit, zotëri Bajram Begaj. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, i uroj detyrën e re presidentit Begaj dhe shumë suksese në punë. Një Shqipëri me institucione të kompletuara dhe e fuqishme, i kontribuon stabilitetit dhe zhvillimit në rajon. Urime Shqipëri!”, shkroi Krasniqi përmes një postimi në Facebook.

I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përgëzoi Gjeneralmajorin duke i uruar sukses në kryerjen e detyrave në shërbim të Shqipërisë dhe Shqiptarëve.

“Shqipëri, urime presidenti i ri i Republikës! Presidentit të sapozgjedhur Bajram Begaj, i uroj shumë sukses në kryerjen e detyrave në shërbim të Shqipërisë e të shqiptarëve!”, ishte urimi i Haradinajt.

Mirëpo, nuk ishin vetëm politikanët vendorë që e uruan Bajram Begajn për zgjedhjen e tij president. Urimi i parë nga radhët e ndërkombëtarëve, për Begajn, erdhi pikërisht nga Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josef Borrell. Borell tha se do të punojë bashkë me presidentin e ri për një marrëdhënie të sigurt dhe solide BE-Shqipëri.

“Urime Bajram Begajt për zgjedhjen e tij si Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë. Mezi presim që të punojmë bashkë për një marrëdhënie të sigurt dhe solide BE-Shqipëri, si anëtarë të familjes evropiane”, shkroi Borell në Twitter.

Ndërkaq Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin e BE, Oliver Varhelyi, në një mesazh në rrjetet sociale, tha se mezi pret që Begaj të marrë detyrën, më 24 korrik, në mënyrë që të punojnë së bashku për të çuar përpara rrugën evropiane të Shqipërisë.

“Urime Bajram Begaj për zgjedhjen si President i ardhshëm i Shqipërisë. Mezi pres të punojmë së bashku për të çuar përpara Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE”, shkroi komisioneri Varhelyi.

Edhe Ambasada Amerikane në Shqipëri pati dy fjalë për përzgjedhjen presidentit të ri të Shqipërisë. Me anë të një postimi në Facebook, ambasada ka uruar Presidentin e ri dhe ka vlerësuar punën e deritanishme si Shef i Shtabit të Përgjithshëm, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës uron Bajram Begaj për zgjedhjen e tij si Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë. Si Shef i Shtabit të Përgjithshëm, ai kontribuoi në mënyrë domethënëse në bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes. Ne presim me kënaqësi që të vazhdojmë të punojmë me të në detyrën e tij të re dhe të forcojmë më tej partneritetin midis vendeve tona”, thuhet në postimin e Ambasadës.

Ndryshe, Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Në vitin 1989, gjeneralmajor Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë tre vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.

Bajram Begaj është profesor i asociuar i mjekësisë. Ai është martuar me Armanda Begajn dhe së bashku kanë dy fëmijë.

Emri i Begajt si një kandidat i mundshëm për kreun e shtetit ka qarkulluar rreth katër javë më parë, por me kalimin e ditëve emri i tij zbeh ndërsa si kandidatët më të favorshëm u cilësuan Ardian Dorani dhe Majlinda Bregu. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco