Kosova dhe Serbia rrezikojnë izolimin, 'sebep' ngecjet në negociata

Kosova dhe Serbia rrezikojnë izolimin, 'sebep' ngecjet në negociata

16:22, 28/05/2022

Bashkimi Evropian dhe SHBA në vazhimësi po kërkojnë që dialogu Kosovë-Serbi të mos zvarritet, e palët të pajtohen për normalizimi të plotë të marrëdhënieve.

BE-ja shpreson për një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para pushimeve të verës. Mbajtja e tij ashtu si edhe rezultatet e mundshme janë në pikëpyetje. Njohës të procesit të dialogut nuk shpresojnë për arritjen e marrëveshjes finale këtë vit.

Përkundër paralajmërimeve për marrëveshje të mundshme për targat e automjeteve dhe energjinë në veri të Kosovës, pa rezultate përfundoi edhe takimi i 13 majit në Bruksel, i ndërmjetësuar nga përfaqësuesi Special i BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak.

Përveç mungesës ujdisë, mungoi edhe takim i përbashkët ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq. Takimi i radhës mes tyre s’dihet se kur do të mbahet. Ndërkohë, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shpreson që një takim i radhës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbahet para pushimeve të verës. E, kur ende një takim i tillë është në pikëpyetje, profesori universitar, Dritëro Arifi, nuk shpreson në arritjen e marrëveshjes finale këtë vit.

“Për marrëveshjen finale nuk besoj se mund të kemi sivjet dicka. Mund të filloj, por të përfundoj nuk besoj, sepse klima në Serbi nuk është e përshtatshme që të kemi një marrëveshje finale. Serbia e pret gjithësesi përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë. Për ta është shumë me rëndësi mandej ri-rreshtimi gjeopolitik. Ndërsa nga ana e BE-së, nëse e shikojmë, BE ende nuk ka treguar në praktikë se ka fuqi që të imponojë afate kohore dhe korniza tematike”, tha ai.

Edhe analist politik, Artan Muhaxhiri, nuk pret rezultate të shpejta. Teksa komenton kërkesat e vazhdueshme për dialog, ai thotë për Radio Kosovën se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përmbyllet sa më parë

“Ky presion i madh amerikan, gjerman, por edhe i vendeve tjera aleate, duhet të rezultojë me hapa konkret e marrëveshje, sepse në të kundërtën nuk mund të pritet që këto vende të harxhojnë energji kot, për procesin e dialogut. Nëse nuk ka avancime, natyrisht se mund të presim edhe një braktisje dhe një izolim edhe të mëtejshëm të Kosovës dhe Serbisë, në agjendën evropiane”, tha ai.

Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian, ka filluar në vitin 2011. Fillimisht ky ishte proces teknik që synonte t’i mundësonte palëve të diskutojnë dhe gjejnë zgjidhje për çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e qytetarëve të të dyja shteteve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco