Shtesat prej 100 eurove nuk i kënaqin sindikalistët, kanë edhe kërkesa tjera për Kurtin

Shtesat prej 100 eurove nuk i kënaqin sindikalistët, kanë edhe kërkesa tjera për Kurtin

14:12, 12/04/2022

380 mijë punonjës të sektorit publik dhe atij privat do t’i marrin nga 100 euro.

Por, vetëm për muajin prill.

E këto të holla që ndau sot Qeveria “Kurti”, sindikatat po thonë se thonë se nuk mjaftojnë.

Atdhe Hykolli, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës thotë se ky vendim i Qeverisë është i mirëpritur, por që kjo mbështetje të jetë deri sa të hyjë në fuqi Ligji i Pagave.

“Kjo është shumë e mirëpritur, ne në fakt në kërkesat tona ka qenë kësisoj, ky është në fakt dialog social pa marr parasysh se si bëhet dialogu social edhe në këtë formë ne e pranojmë, ne shpresojmë se kjo mbështetje të jetë për çdo muaj, nuk do të jetë vetëm për këtë muaj. Ne do të ulemi dhe do të diskutojmë dhe kërkesat tona ka qenë që kjo mbështetje do të jetë deri sa të hyjë në fuqi Ligji i Pagave”, thotë ai.

Ai thotë se Qeveria është e obliguar që të miratojë Ligjin e Pagave.

“Unë po besoj edhe Ligji i Pagave edhe ligjet tjera, Qeveria është e obligume që t’i miratojë dhe të ecë përpara, unë besoj që Qeveria së shpejti do të dal me propozimin e Ligjit të Pagave dhe propozimeve tjera që ne si BSPK i kemi kërku”, thotë ai.

Të njëjtën e thotë edhe Kryetari i Federatës së Sindikatës të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla.

Ai thotë se problemi nuk zgjidhet për një muaj me nga 100 euro, por sipas tij, Qeveria me këtë vendim po mundohet të blej kohë.

Ai thotë se nuk do të tëhiqen nga kërkesa e tyre për miratim të Ligjit të Pagave.

 

 

“Një muaj, assesi qytetarët e Republikës së Kosovës nuk janë të disponuar të zgjidhet problemi për një muaj, ne kërkojmë zgjidhje afatgjate, sepse po e shihni rritja e çmimeve është shumë e madhe. Këta po mundohen  në këtë mënyrë ta blejnë një kohë. Ne prej kërkesave nuk tërhiqemi, kjo është e qartë, kërkesat kanë të bëjnë jo vetëm me Ligjin e Pagave por edhe rritjen e pagave. Është mirë sa më shpejt t’i kthehemi dialogut social, e jo të dal në konferenca për shtyp dhe t’i jap 100 euro”, thotë ai për Front Online.

Kryesindikalisti i Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, Rrahman Jasharaj thotë se kjo mbështetje e Qeverisë është hap pozitiv, ani pse kërkesa e tyre ka qenë që mbështetja të jetë e vazhdueshme.

“Ne kemi kërkuar që kjo mbështetje 100 euro të jetë e vazhdueshme gjersa nuk dërgohet Ligji i Pagave. Në këtë javë po presim vullnetin e mirë, pasi që më në fund e bëri hapin e parë, po presim që t’i thërras sindikatat dhe të dimë pak më shumë për Ligjin e Pagave. Ne do të veprojmë sipas zërit të anëtarësisë, anëtarësia sot do të komunikojë me kryetarin dhe të shohim si ka reflektuar ky vendim i qeverisë, e pastaj ashtu siç thonë ata ne jemi të gatshëm të bëjmë”, thotë ai.

Sot kryeministri Kurti ka thënë se në kuadër të masave për ringjalljen ekonomike, në muajin prill do të dyfishohet vlera e asistencës sociale, pensionistët do të përfitojnë nga 100 euro shtesë, ashtu sikurse punëtorët e sektorit publik, privat si dhe studentët.

Vlera e zbatimit të këtyre masave do të shkojë në mbi 100 milionë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco