Serbia blen raketa kineze/ Zaimi: Vuçiç ka blerë armë nga vendet e NATO-s

Serbia blen raketa kineze/ Zaimi: Vuçiç ka blerë armë nga vendet e NATO-s

15:51, 11/04/2022

Nga Arbër Zaimi

Edhe sot raportohet për aeroplanët transportues ushtarakë kinezë që janë ulur në Beograd. Çfarë do të thotë kjo për sigurinë e shqiptarëve, Ballkanit dhe Evropës Lindore? Po për vetë NATO-n?

1. Kina për herë të parë shfaqet ushtarakisht në qiejt e Evropës. Për të arritur deri aty është dashur të fluturojë mbi qiej të NATO-s. Pak muaj më parë Vuçiqi ankohej se vendet e NATO-s nuk i lejonin transportuesit ushtarakë kinezë të fluturonin drejt Serbisë. Tash kjo ndodhi. Anëtarët e NATO-s, Turqia e Bullgaria i lejuan aeroplanët kinezë.

2. Serbia është bërë në vitin 2020 vendi i parë evropian me armatim modern kinez. Ajo ka marrë dronët Wing Loong, sisteme të radarëve modernë, dhe së fundi sistemet raketore HQ22, homologu kinez i sistemeve amerikane Patriot. Përveç kësaj Serbia ka zhvilluar programe modernizimi elektronik të aeroplanëve, sistemeve raketore, tankeve dhe artilerisë, kryesisht në bashkëpunim me Rusinë. Ndërkohë në 2022 në Serbi kanë ardhur tridhjetë tanke modernë nga Rusia ‘White Eagle’. Nga Rusia kanë ardhur 6 aeroplanë MIG29 teksa 4 syresh nga Bjellorusia, në formë dhurate. Po nga Rusia është inportuar në Serbi sistemi raketor kundërajror ‘Pantsir’ dhe ai kundërtank ‘Kornet’.

3. Serbia në 2020 ka filluar negociatat për të blerë raketat ‘Spike’ nga Izraeli. Negociatat kanë patur vonesa si pasojë e njohjes së Kosovës nga Izraeli. Serbia ka kërkuar të pajiset urgjentisht me dronë ‘Bajraktar’ të blerë nga Turqia, dhe pretendon se ka marrë përgjigjje pozitive. Po ashtu, Serbia po pret të furnizohet me 12 aeroplanë luftarakë modernë ‘Rafale’ nga Franca. Më parë Serbia ka blerë prej Francës sistemin kundërajror ‘Mistral’. Turqia e Franca janë të dyja vende të NATO-s. Në tetor 2021 Vuçiq tha se Serbia do të blejë armatim edhe në lindje edhe në perëndim e ku të mundet. Mbetet për t’u parë se a do ta furnizojnë Serbinë me armë vendet e NATO-s si Turqia e Franca.

4. Serbia ka zhvilluar edhe industrinë e vet të armatimit, duke prodhuar dronë, blinda, tanke, sisteme raketore etj. Serbia eksporton armë për të siguruar përkrahje diplomatike. U raportua nga SHBA se pas grushtit të shtetit në 2021 Serbia furnizoi Birmaninë me raketa, teksa në po atë vit pati disa kontrata eksporti në vende të Gadishullit Arabik. Këto raportime nuk janë pranuar si të vërteta nga Serbia.

5. NATO ka premtuar si kundërpeshë krijimin e një baze ajrore në Shqipëri jugore dhe një baze të forcave speciale në Shqipëri të mesme. Ende ato janë në fazë projektimi.

6. Shqipëria e Kosova e kanë politikën e mbrojtjes tërësisht në linjë me BE dhe NATO. Serbia refuzon ta vendosë politikën e mbrojtjes në linjë me BE, ndërsa sa për NATO është totalisht kundër. Pas zgjedhjeve të fundit në Serbi, sondazhet treguan se vetëm 20% e qytetarëve atje kishin qëndrim pozitiv për BE-në. Mbështetja për Rusinë është shumicë e madhe e opinionit publik.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco