Escobar inkurajon vendet e Ballkanit për procesin drejt BE-së

Escobar inkurajon vendet e Ballkanit për procesin drejt BE-së

19:18, 10/04/2022

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se të gjitha shtetet e këtij rajoni janë duke shkuar drejt rrugës së tyre për në Bashkimin Evropian.

Ai poashtu theksoi se kjo është pikërisht ajo çfarë duan për të gjitha këto vende, përfshirë këtu dhe Serbinë.

“Të gjitha vendet që u bashkuan me BE-në janë bërë më demokratike, më të qëndrueshme dhe më të begata, pothuajse pa asnjë kosto për të tjerët. Kjo është pikërisht ajo që ne duam për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë”, tha Escobar.

Escobar tha gjithashtu se shpreson se të gjitha këto vende të përfundojnë procesin e tyre brenda një kohe të arsyeshme.

“Shpresoj që të gjitha këto vende të kenë një rrugë të qartë drejt Evropës, një derë të hapur dhe se do të mund ta përfundojnë procesin e tyre brenda një kohe të arsyeshme. Afati aktual varet nga marrëdhënia e tyre me BE-në, por ne i inkurajojmë ata të bëjnë përparim dhe gjithashtu inkurajojmë partnerët tanë evropianë që të japin një sinjal të qartë se ata janë të mirëpritur”, ka thënë Escobar për mediumin kroat N1.

Escobar shtoi se Kroacia mund të jetë shembull dhe model i mirë për integrimet euro-atlantike për vendet e rajonit.

“I kam kërkuar qeverisë kroate që të japin mbështetje dhe asistencë vendeve të Ballkanit Perëndimor që të gjejnë rrugën e tyre për në Evropë. Dhe kam marrë premtim nga ana e tyre”, ka thënë mes tjerash emisari amerikan për rajonin, Gabriel Escobar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco