Për Kosovën, pandemia mund të zgjas me vite!

Për Kosovën, pandemia mund të zgjas me vite!

11:01, 04/02/2022

“Për Kosovën, pandemia mund të zgjas me vite, nëse qytetarët vazhdojnë të refuzojnë aktivisht vaksinën”, ka thënë kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg.

“Rritja e rasteve të vdekjes është e pritshme, kur shohim që përqindja e atyre qytetarëve me dy doza të vaksinës vazhdon që të mbetet më pak se 40 për qind (800 mijë banorë të Republikës së Kosovës), ndërkohë që pjesa më e madhe e Evropës e ka kaluar 75 për qind të popullatës së vaksinuar”.

Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg.

Sipas Dollenbrg, shifrat në rritje të rasteve të reja me Omicron në Kosovë nuk duhet të nënvlerësohen.

“Të mos harrojmë që një përqindje shumë e lartë  me shume se 60 për qind e qytetareve janë të pavaksinuar. Rreziku i te pavaksinuareve qe ta kalojnë COVID-19 me ecuri të rënda deri në vdekjeprurës është shumë i lartë”.

Megjithatë, vlerëson se marrja e dozës së tretë edhe në Kosovë, mund të parandalojë rastet e rënda.

“Doza e tretë është bërë domosdoshmëri për të parandaluar rastet e rënda te pacientet që edhe pse të vaksinuar infektohet sërish. Më shumë se 50 për qind e evropianeve e kanë marrë dozën e tretë, prandaj edhe Kosova duhet të orientohet tek protokollet e OBSH-së për një rifreskim të vaksinës, nëse doza është marrë para 6 muajve”.

Ajo shton se, “menaxhimi efektiv i kësaj krize të katër për Kosovën, do të ishte i rekomandueshëm më tepër modeli gjerman që masat kufizuese të vazhdojnë”.

Zyrtari për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, i pyetur nga Albanian Post për vendosjen e masave të reja në Kosovë ka sqaruar se masat duhet të merrën bazuar në situatën epidemiologjike të vendeve.

“Secili shtet ndërmerr masa kundër COVID-19, bazuar në situatën e vet epidemiologjike indikatorët që e masin shkallën e përhapjes së infeksionit, projeksionet për ditët apo javët në vijim dhe karakteristikat e tjera ndërlidhur me situatën”, ka thënë Hoti 

Ai bën të ditur tutje se, “në Kosove ekziston Zyra e OBSh-së dhe institucionet e Kosovës, kanë zbatuar që nga fillimi rekomandimet e kësaj organizate dhe të ECDC dhe konsultohen në vazhdimësi me to”.

Testimet për COVID-19 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), foto: Radio Evropa e Lirë.

Sipas tij, rekomandimet e OBSH-së janë vetëm orientim i vendimeve të shteteve.

“Rekomandimet e OBSH-së janë të orientuara për t’iu dhënë udhë –orientim vendimeve të shteteve, por shtetet i marrin vet vendimet bazuar në karakteristikat që i kanë dhe situatën epidemiologjike që e kanë”, pohon Hoti.

Kosova është në pritje të lehtësimit të masave anti-COVID19

Më 3 shkurt, Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë, në takimin e të enjtes lidhur me situatën epidemiologjike ka vlerësuar që masat e marra gjatë muajit janar duhet të lehtësohen.

Kështu bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi i pyetur nga mediat ai tha se këto masa priten të miratohen të premten e 4 shkurtit dhe të shtunën të hyjnë në fuqi.

Ministri i Shëndetësisë, ka sqaruar se ora policore do të fillojë nga ora 00:00 deri në ora 05:00, ndërsa gastronomia do të punojë deri në orën 23:00.

Po ashtu, maska pritet të hiqet në ambientet e jashtme dhe fitneset të hapen.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi bëri të ditur se do të lehtësohen edhe masat për ata që hyjnë në Kosovë.

Në takim është propozuar që të gjithë ata që hyjnë në Kosovë të dëshmojnë se janë të vaksinuar me dy doza të vaksinës, ata që kanë një dozë të vaksinës, duhet ta kenë edhe testin PCR.

Latifi bëri thirrje që çdo veprimtari, së cilës i janë lehtësuar masat, duhet që të pranojnë vetëm ata qytetarë që kanë dy doza të vaksinës.

Më tre shkurt, po ashtu Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka raportuar se brenda 24 orëve, kanë humbur jetën pesë persona dhe janë regjistruar dy mijë e 110 persona janë të infektuar me COVID-19.

Numri i të infektuarve vjen nga 9 mijë e 451 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë tre mijë e 772.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 30 mijë e 871.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco