Siguria në Kosovë, Kurti takon komandantin e KFOR-it

Siguria në Kosovë, Kurti takon komandantin e KFOR-it

07:00, 25/05/2024

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, është takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas veprimeve të fundit të ndërmarra nga Policia e Kosovës, të cilat rezultuan me mbylljen e gjashtë njësive të Banka e Kursimeve Postare në veri të Kosovës.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, në takim me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se autoritetet e Kosovës duhet të shmangin veprimet e njëanshme që përkeqësojnë tensionet, pas operacionit të policisë ndaj ndërtesave të Bankës Postare Kursimore të Serbisë në veri të vendit.

Sipas njoftimit të KFOR-it, Ulutas ka theksuar se ‘veprimet e njëanshme që mund të përkeqësojnë tensionet duhet të shmangen dhe se duhet të ruhet koordinimi i duhur mes të gjithë aktorëve përkatës’.

Sipas njoftimit, Ulutas ka përsëritur përkushtimin e palëkundur nga i gjithë personeli i KFOR-it për të vazhduar zbatimin e mandatit “për mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

Ulutas ka thënë se NATO-ja vazhdon ta mbështesë dialogun e Bashkimit Evropian si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet me Serbinë, "për të mirën e të gjitha komuniteteve".

Sipas njoftimit të KFOR-it, Ulutas e bëri të qartë se “roli i KFOR-it vazhdon të jetë thelbësor për stabilitetin rajonal dhe se misioni i udhëhequr nga NATO ruan qëndrim fleksibël”.

Ulutas kujtoi se KFOR-i është katërfishuar me trupa që pas tensioneve në veri vitin e kaluar.

Edhe Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se kryeministri, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, mirëpriti komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas.

Përmes një njoftimi është bërë e ditur se në takim u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe misionit të NATO-s në Kosovë - KFOR, si dhe për situatën e sigurisë në vend.

“Në takim u vlerësua se komunikimi dhe takimet e rregullta janë në shërbim të bashkërendimit sa më të mirë ndërmjet institucioneve të sigurisë. Kryeministri e falënderoi komandantin Ulutas për bashkëpunimin e mirë, për rolin dhe kontributin e tij dhe të KFOR-it për sigurinë dhe paqen”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco