Molliqaj sfidon policinë, në konferencë për media tregon si shkoi protesta

Molliqaj sfidon policinë, në konferencë për media tregon si shkoi protesta

13:42, 31/01/2022

Kreu i Partisë Socialdmokrate, Dardan Molliqaj, ka folur për incidentin që ndodhi në protestën e të shtunës në Prishtinë, ku qytetarët protestuan kundër propozimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës.

I pyetur nga gazetarët për pamjet që janë publikuar ku Molliqaj shihet duke goditur zyrtarin policor, Molliqaj ka thënë se tashmë është përgjigjur rreth kësaj çështje.

Ai ka theksuar se deri më tani nuk ka pranuar asnjë ftesë nga Policia e Kosovës për t’u intervistuar.

“Për PSD-në dhuna nuk është as qëllim e as mjet. Unë e kam marrë përgjegjësinë për atë që ka ndodhë”, ka thënë ndër të tjerash Molliqaj.

Tutje, Molliqaj ka thënë se policia ka dështuar në protestën e së shtunës.

“Policia ka dështu, nëse do të ketë hetim i bie që policia ka dështu. Kur vendoset një kordon, ai nuk guxon me u negociu, përndryshe është vendim politik. Fillimisht, kur unë si udhëheqës i protestës kam kërkuar që të na lirohet rruga, ata nuk kanë pranuar, na kanë zvarritur dhe na kanë shtyrë. Më vonë, ata kanë pranuar kërkesat tona. Policia më ka ftu me negociu, mediat kanë qenë aty dhe shihet ku dy komandantët e policisë më marrin më lartë, kur një zyrtar policor më ka goditur e fyer. Pse nuk po publikohen videot e plota, nuk e di. Nuk më ka ftuar askush, kam qenë në shtëpi, kam shkuar në zyre, por nuk më ka ftuar askush edhe pse policia e di adresën time. Pra është një veprim politik, organizim politik e policor kundër nesh”, ka thënë ai.

Molliqaj ka thënë se në Kosovë ka drejtësi selektive, ndërsa ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe Policia e Kosovës karshi opozitës është politike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco