Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është një nga projektet më ikonike të qytetit që u ndërtua në kohën e ish-Jugosllavisë.
Hartimi i këtij projekti nisi në kohën kur Prishtina po përjetonte shndërrime të mëdha në infrastrukturë, pasi deri në vitet ’70-ta, Prishtina konsiderohej si qytet me karakter kryesisht osman.
Shndërrimi i infrastrukturës me anë të ndërtimit të këtij Pallati synonte t’i jepte qytetit një tjetër karakter.
Historiku i ndërtimit
I ndërtuar në vitin 1977 si projekt i arkitektëve Zhivorad Jankoviq dhe Halid Muhasiloviq, pallati paraqiste pjesën më atraktive të përmbajtjes së Qendrës, vazhdon të jetë e tillë edhe në ditët e sotme.
Derisa, punimet për këtë pallat u kryen nga kombinati ndërtimor industrial ‘Ramiz Sadiku’.
Pallati fillimisht u quajt “Boro dhe Ramiz” sipas dy partizanëve të Luftës së Dytë Botërore dhe heronjve të popullit të ish-Jugosllavisë, Boro Vukmiroviç dhe Ramiz Sadiku. Vukmiroviç ishte serb, ndërsa Sadiku ishte shqiptar, prandaj u emërua kështu për të simbolizuar vëllazërinë dhe bashkimin ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
Ndërsa, pas luftës Pallati mori emrin e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Pallati i Rinisë” në Prishtinë si kompleks u hartua në atë mënyrë që do përfshinte manifestimet e karakterit të ndryshëm si shoqëror, publik, kulturor, zbavitës, sportiv-rekreativ, ekonomik.
Përpos fondeve nga ish Federata, Pallati është i ndërtuar edhe nga mjetet e vetë kontributit të qytetarëve të regjionit të Prishtinës, atë kohë banorët e punësuar ndanin 2% të pagës për ndërtimin e Pallatit të Rinisë.
Kjo, sipas projektit fillestar përshtatej edhe me nivelin e relievit në këtë zonë, platoja pritej të kishte zgjatje edhe tek pjesa prapa ku planifikoheshin pishinat e deri tek lidhja me stadiumin.
Kjo pjesë e projektit nuk është përfunduar por ekziston në planet e ndërmarrjes që tani është në menaxhim të komunës së Prishtinës.
Po ashtu, pjesa mbrapa ku gjenden pishinat e hapura dhe të mbyllura nuk është realizuarr kurrë, aty ka qenë në plan që përpos pishinave të ketë edhe fasilitete të tjera sportive.
Djegia e Palestrës së madhe në vitin 2000
Ndërtimi i tërësishëm i pallatit të rinisë përpos që mbeti në gjysmë gjatë viteve ‘80-ta, e pësoi edhe një dëm të madh një vit pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Më 25 shkurt të vitit 2000 palestra më e madhe e këtij pallati u përfshi nga zjarri, duke dëmtuar tërësisht pjesën brenda dhe kulmin.
Atë kohë me donacionet e dedikuara nga UFORK-u në shumë prej 1,450,000 euro dhe të Kuvendit Komunal të Prishtinës në shumë prej 113,000 euro, është kryer rekonstruktimi i kulmit, fasadës, xhamave dhe kupolave, por palestra nuk u prek.
Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit që kishte përfshirë këtë sallë, por thuhet se mund të ketë qenë problem i energjisë elektrike.
Para luftës, pjesa poshtë e kësaj salle kishte qenë e dhënë me qira për biznese, e që kryesisht kanë qenë ndërmarrje të shqiptarëve.
Në vitin 2018 me anë të ligjit për Prishtinën ndërmarrja ‘Pallati i Rinisë dhe Sporteve’ kaloi në menaxhim të Komunës së Prishtinës.
Sipas tyre, një investim i tillë mund të bëhet vetëm përmes ndonjë donacioni apo kredie, kurse sot kjo palestër shfrytëzohet si parking për makina.
Hapat e ardhshëm të zhvillimit
Projekti A: Rekonstruktimi i tërësishëm i Pallatit Universal:
Projekti B: Pishinat e mbyllura dhe të hapura:
Si pjesë e kompleksit është paraparë ndërtimi i pishinave të mbyllura dhe të hapura me sipërfaqe prej 6,000 m2. Në këto hapësira është paraparë zhvillimi i të gjitha llojeve të notit për stërvitje deri të mbajtja e garave kulminante sportive.
Në këto hapësira janë paraparë këto përmbajtje:
– Pishina olimpike me pajisjet për vaterpoll dhe kërcime në ujë;
– Pishina për stërvitje;
– Pishina për fëmijë me lokale tjera përcjellëse.
Projekti C: Qendra e re tregtare dhe Garazha nëntokësore
Dikur ka qenë ideja që nën Pishinën Olimpike të ndërtohet një qendër e re tregtare dhe nën të një Garazhe publike nëntokësore tre-katër katëshe, por mbetet të shihet si do rrjedhë në hapat e ardhshëm që merr komuna.
Projekti D: Terrenet e hapura sportive:
Në kuadër të Stadiumit Futbollistik është paraparë të ndërtohet edhe Platoja e të Rinjëve, lidhur me Platon e Qendrës tregtare.
Projekti E: Hoteli i sportistëve me objektet përcjellëse:
Me programin inventiv të ndërmarrjes është paraparë edhe ndërtimi Hotelit Sportiv dhe objektet përcjellëse, këto të fundit të gjitha si pjesë e projektit origjinal të mbetur në gjysmë.
Hoteli i sportistëve përbëhet prej dy ndërtesave. Në pjesën e re lidhëse që do të ndërtohet në mes të dy ndërtesave është paraparë të bëhet pjesa hyrëse, recepcioni, restorani me repartin e kuzhinës, ndërsa në kat kafeneja me repartin e kuzhinës. Objekti i tillë i koncentruar do të kishte sipërfaqe prej 6,930 m2.
Nga përfaqësues të ndërmarrjes thonë se ekziston programi dhe arsyeshmëria për ndërtimin e Hotelit të sportistëve me objektet përcjellëse si dhe pëlqimi nga Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Odës Ekonomike dhe Lidhjes Turistike të Kosovës.
Projekti F: Platoja lidhëse e Pallatit me Hotel Grand
Në kuadër të kompleksit është paraparë të ndërtohet Ura Lidhëse e cila lidh Platonë përmbi Qendrën tregtare dhe Platonë e Hotelit Grand. Ekziston projekti i cili gjendet në Drejtorinë për rregullimin e Tokës, por që nga shumë njohës të urbanizmit e arkitekt shihet si diçka e parealizueshme në ditët e sotme.
Më poshtë gjeni objektet të cilat janë ndërtuar dhe ato që janë pjesë e hapave të ardhshëm të zhvillimit në kuadër të projektit ‘Pallati i Rinisë dhe Sporteve’.
© SYRI.net