Nga gjykata në ministri: Zyrtarë të shtetit shkojnë në punë si të akuzuar e dënuar

Nga gjykata në ministri: Zyrtarë të shtetit shkojnë në punë si të akuzuar e dënuar

21:05, 24/12/2021

Rastet në të cilat zyrtarët publik përballen me aktakuza janë shumë të shpeshta. Megjithëkëtë disa nga ta vazhdojnë të ushtrojnë funksionin e tyre.

 

Nga puna në gjykatë dhe nga gjykata në punë. Kështu po ndodhë me disa zyrtarë që janë nën autoritetin e ministrit Liburn Aliu.

Ka kohë që është ngritur aktakuzë ndaj tre zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Isa Berisha, Mirdit Emini dhe Leonora Bacaj -Limani. Por, tre të akuzuarit po vazhdojnë të shkojnë në punë rregullisht, madje kanë edhe pozita vendimmarrëse. Ata nuk janë suspenduar nga ministria.

Madje, zyrtari Besim Tahiri është dënuar para pak muajsh me burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Edhe ai vazhdon të ketë pozitë në ministri.

Në një përgjigje për lajmi.net dhënë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është treguar për pozitat që mbajnë zyrtarët të cilët po akuzohen për korrupsion si dhe të atij që është dënuar nga shkalla e parë.

“Bazuar në kërkesën tuaj ju informojmë se:1. Z. Besim Tahiri është Udhëheqës i Divizionit për Pyetës. 2. Z. Isa Berisha është Menaxher Rajonal për Gjilan. 3. Z. Mirdit Emini është Udheheqes i Divizionit për Zhvilimin dhe Përgaditjen e testeve për Patent Shofer. 4. Znj. Leonora Bacaj- Limani është Udhëheqës i Divizionit për Autoshkolla”, thuhet në përgjigjen e ministrisë dhënë për lajmi.net lidhur më pozitat që ata mbajnë aktualisht.

Bashkë me Berishën, Eminin dhe Bacaj-Limani në bankën e të akuzuarit po ulet edhe ish sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, i cili në janar të këtij viti ishte emëruar kryeshef në Agjencinë Kosovare të Standardizimit në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ai deri sot ka dalë në vendin e tij të punës, por që nga sot nuk mund ta bëj një të tillë pasi që me vendim të ministrisë është suspenduar nga puna.

Ndonëse, akuzohet për dallavere me tender, si anëtare e komisionit vlerësues, Leonora Bacaj -Limani siç ka mësuar lajmi.net edhe pas aktakuzës ka qenë anëtare e komisionit vlerësues në një tender, që është realizuar para disa javësh.

Udhëheqësi i Divizionit për Pyje, Besim Tahiri është dënuar me 3 vite burgim efektiv për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Atij i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej dy vitesh, pas mbajtjes së dënimit me burg.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Fatime Dërmaku.

Sipas aktgjykimit të shpallur, ish sekretari Xhelil Bekteshi dhe Tahiri obligohen gjithashtu që Ministrisë së Infrastrukturës t’ia paguajnë 29,828 euro kompensim për dëmin e shkaktuar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Xhelil Bekteshi në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare. Njëjtë thuhet se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri.

Më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Por, Bekteshi dhe Tahiri e kanë apeluar këtë vendim të Gjykatës Themelore.

Tre zyrtarët tjerë të ministrisë që kanë aktakuzë bashkë me Betim Reçicën, seanca e fundit gjyqësore për ta ishte planifikuar të mbahej në fillim të muajit nëntor, por ishte shtyrë për janar, ngase kishte munguar për shkaqe shëndetësore Betim Reçica.

Të katër zyrtarët akuzohen për keqpërdorime lidhur me tenderin për autostradën e Gjilanit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 15 shkurt 2021 e kishte njoftuar opinionin për ngritjen e aktakuzës ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica dhe tre zyrtarëve të tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së  Kosovës më 15 shkurt 2021, Reçica po akuzohet se në cilësinë e Ushtruesit së detyrës së Drejtorit te Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion” nga Tirana, ushtroi ndikim të drejtpërdrejtë te Isa Berisha, Kryetar i Komisionít Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtar të këtij komisioni, që ishin vartës të tij, duke i vënë në presion kohor që rivlerësimin e tenderit për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit ta kryejnë për 10 ditë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e këtij komisioni që të shkojnë në takim me ministrin Pal Lekaj, e që pastaj ta shpallin fitues Operatorin Ekonomik “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit më mirë se OE & GP& “Papenburg Adriani”, që e kishte rekomanduar Komisioni Rivlerësues, i cili me shumën prej 1 milionë e 630 mijë e 487 euro 45 centë kishte ofruar çmim më të ulët se “Gjoka Konstruktion”, me çka për këtë shumë ka dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Reçica se ka kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit”, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tetë vjet.

Reçica ngarkohet edhe për shpëlarje të parave, ai akuzohet se gjatë vitit 2019, mjetet financiare të cilat i kishte përfituar nga aktiviteti kriminal, i cili ishte i ndërlidhur me veprat e sipërcituara, e me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme, ka blerë veturën “Audi F2 S7 Sportback”, të prodhuar në vitin 2019, të cilën veturë me qëllim të fshehjes së të ardhurave të krijuara me vepër penale e ka regjistruar në emër të vëllait të tij, Bekim Reçica.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Reçica se ka kryer veprën penale “Shpëlarje e parave” nga neni 308 të Kodit Penal, lidhur me nenin 56 par. 1 nën par. 1.1 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit.

Ndërsa, të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini po akuzohen nga PSRK-ja se: Isa Berisha, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Rivlerësues në MI, Leonora Limani dhe Mirdit Emini në cilësinë e anëtarëve të atij komisioni, të themeluar nga Sekretari i përhershëm i ministrisë, më 21 nëntor 2017, për rivlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomik të paraqitura në tenderin për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare për të shpallur fitues operatorët ekonomik që ofertuan çmimin më të ulët, që ishte kriteri kryesor për shpalljen e fituesve.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ata akuzohet se kishin shpallur fitues për Lot I (një) Operatorin Ekonomik “Graniti Inginiering” && “Armendi & EX” që kishte ofertuar çmimin 18 milionë e 468 mjë e 426 euro 58 centë e jo Operatorin Ekonomik “AL TRADE” SHPK & “SALILLARI” që kishte ofertuar me çmimin 16 milionë e 24 mijë e 128 euro e 28 centë, i cili ishte më i ulët për 2 milionë e 444 mijë e 298 euro e 38 centë, e pastaj për Lotin -II- (dy) shpallën fitues Operatorin Ekonomik “GP&Papengburg Ardiani” e jo Operatorin Ekonomik “2A group & Alko IMPEX&ex – FIX&2T”, që kishin ofertuar me çmimin 4 milionë e 275 mijë e 806 euro e 22 centë, i cili ishte më i ulët për 1 milion e 630 mijë e 487 euro e 45 centë.

Gjithnjë sipas prokurorisë, të akuzuarit Berisha, Limani e Emini, kishin shpallur fitues për Lot IV (katër) Operatorin Ekonomik “2A GROUP” & “ALKO IMPEX” & “EX-FIX” & “2T”, që kishin ofertuar me çmimin 8 milionë e 700 mijë e 127 euro e 36 centë, e jo Operatorin Ekonomik ,,PEVLAKU & “BASE JOOS KRASNIQI” që kishin ofertuar me çmimin 7 milionë e 784 mijë e 756 euro e 72 centë, i cili ishte më i ulët për 915 mijë e 370 euro e 64 centë, pastaj për Lot VI (giashtë) shpallën fitues “KAG ASPHALT & BENI COM” e jo Operatorin Ekonomik “SALLAHU”, i cili kishte ofruar dëshmi të mjaftueshme konform kërkesave të DT dhe njoftimit për kontratë.

Po ashtu, për Lot VII (shtatë) të akuzuarit e lartcekur shpallën fitues “AL TRADE SHPK” & “SALILLARI” që kishin ofertuar me çmimin 7 milionë e 247 mijë e 86 euro e 87 centë, e jo Operatorin Ekonomik “KAG ASPHALT” & “BENI COM” që kishin ofertuar me çmimin 6 milionë e 147 mijë e 674 euro 16 centë, i cili ishte më i ulët për 1 milionë e 99 mijë e 412 euro e 71 centë, pastaj për Lot VIII (tetë) shpallën fitues Operatorin Ekonomik “JOOS KRASNIQI & PEVLAKU” që kishin ofertuar me çmimin 11 milionë e 913 mijë e 157 euro e 91 centë, e jo Operatorin Ekonomik “RSM COMPANY” & “BENITA COMPANY”, që kishin ofertuar me çmimin 11 milionë e 571 mijë e 113 euro e 42 centë, i cili ishte më i ulët për 342 mijë e 44 euro e 49 centë, ashtu që përfitimi në total i Operatorëve Ekonomik ishte 88 milionë e 618 mijë e 511 euro e 95 centë, nga e cila shumë buxheti i Republikës së Kosovës, u dëmtua për 6 milionë e 200 mijë e 313 euro e 13 centë.

Me këto veprime, të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini  ngarkohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Gjithnjë sipas PSRK-së, Betim Reçica akuzohet edhe se në cilësinë Ushtruesit të detyrës se Drejtorit të Prokurimit Publik në MI, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion’” nga Tirana, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke tejkaluar kompetenca e përcaktuara me ligj, në atë mënyre që më 21 nëntor 2017, ka ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues dhe OE “Gjoka Konstruktion’” e ka shpall të përgjegjshëm përkundër faktit se e ka ditur se ky operator nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për tu shpallur i tillë dhe e ka ditur se OE “2Agroup & Alko IMPEX &EX FIS&2T” kanë ofertuar me çmim më të lirë, me ç’rast e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 1 milion e 630 mijë e 48 euro e 45 centë.

Kodi Penal i Kosovës parasheh dënimin e kryesve të veprave por vetëm pas plotfuqishmërisë së vendimit të gjykatës, me të cilin ata shpallen fajtor. Mirëpo, tani kjo çështje po synohet të rregullohet përmes Projekt-kodit të procedurës penale, i miratuar më 1 tetor 2021.

Me këtë Projekt-kod të miratuar nga Kuvendi i Kosovës parashihet suspendimi nga puna i zyrtarëve publikë që nga ngritja e aktakuzës për vepra penale të korrupsionit dhe të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Në nenin 539 saktësohet se gjykata e pezullon të pandehurin i cili është person zyrtar nëse ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale kundër të drejtave në marrëdhëniet e punës, vepër penale kundër jetës dhe trupit, vepër penale kundër integritetit seksual, krim të organizuar, korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, trafikim me njerëz, shpëlarje të parave si dhe nëse ka arsye për të besuar se personi zyrtar do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, ose se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale.

Ky Kod, në paragrafin 3  gjithashtu përcaktohet se me aktvendimin e pezullimit personi zyrtar nuk do të ketë qasje në ambientet zyrtare të zyrës së tij, nuk do të ketë të drejtë të ndërmarrë detyrë zyrtare dhe do të përmbahet nga kontakti me punonjësit në zyrën e tij. “Vendimet në lidhje me këtë masë merren sipas kërkesës së prokurorit të shtetit nga gjyqtari i procedurës paraprake para se të ngritet aktakuza dhe nga kryetari i trupit gjykues pasi të jetë ngritur aktakuza”, thuhet në nenin 539 parag. 9 i Projekt-kodit të procedurës penale.

Në rast të moszbatimit të këtij aktvendimi, sipas paragrafit 6 personi zyrtar mund të paraburgoset. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco