Ndëshkohet infermierja në Lipjan që ia dha infuzionin pacientit në oborr të QKMF-së

Ndëshkohet infermierja në Lipjan që ia dha infuzionin pacientit në oborr të QKMF-së

20:27, 24/12/2021

Një vërejtje me shkrim i është shqiptuar infermieres së Emergjencës në Lipjan, Ganimete Qeriqi, për shkak se ia kishte dhënë infuzionin një pacienti në oborr të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Ndaj Qeriqit janë paralajmëruar edhe masa tjera disiplinore, nëse ndodh ndonjë shkelje tjetër brenda dy vjetëve.

Në fund të gushtit pati bërë bujë një fotografi në të cilën shihej infermierja që ia jepte infuzionin një qytetari të Lipjanit, i prekur me COVID-19, në hyrje të objektit të QKMF-së. Atë kohë ajo pati thënë se e ka bërë këtë veprim “pasi që pacienti ishte shumë i lodhur dhe me qëllim që të mos presë shumë gjatë në rradhë”.

Tani në një vendim të Komisionit Komunal prej pesë anëtarësh, Qeriqit i është shqiptuar një vërejtje me shkrim. Vendimi thotë se ajo ka shkelur etikën profesionale.

 

“Kjo vërejtje është e fundit e cila ka për qëllim ta përmirësojë, këshillojë dhe paralajmërojë për masat e tjera disiplinore në rast të shkeljes konform dispozitave ligjore”, thuhet midis të tjerash në vërejtje, duke sqaruar se vërejtja i është shqiptuar nga komisioni disiplinor ne proporcion me pasojat e shkaktuara dhe vendoset në dosjen personale të punëtorit, ku e njëjta vërejtje i shlyhej pas dy vitesh nga dita e pranimit, nëse ndaj të punësuarit nuk është marrë ndonjë masë tjetër brenda.

Qeriqi këtë vërejtje e ka konsideruar si kërcënim dhe shkelje të të drejtave të saj. Ajo ka thënë se ligji ia lejon infermierëve emergjentë t’u ndihmojnë qytetarëve edhe në rrugë në periudha emergjente. Qeriqi e cila njëherësh është edhe kuvendare në Kuvendin Komunal të Lipjanit nga radhët e opozitës (PDK), ka thënë se vërejtja i është dhënë nga këndi politik dhe është kërcënuar me vërejtje të fundit.

“Unë si infermiere e Emergjencës më lejohet sipas ligjit t’i ndihmoj qytetarët qoftë në rrugë apo në ndonjë aksident. Ndërkaq, rasti i infuzionit është bërë e madhe për qëllime politike, por nga ana ime ka pasur qëllim të mirë për ta ndihmuar një pacient në kohë të pandemisë derisa hapësirat kanë qenë të kufizuara. Dhënia e kësaj vërejtje është e paarsyeshme, andaj jam duke e shqyrtuar mundësinë që t’i drejtohem organeve të inspektoratit shëndetësor”, ka thënë Qeriqi për KOHËN.

 
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco