'Ndaleni terrin për konsumatorët dhe respektoni Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit!'

'Ndaleni terrin për konsumatorët dhe respektoni Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit!'

16:15, 24/12/2021
Mbrojtësit e Konsumatorëve shprehin shqetësimin e thellë me situatën e rënduar energjetike në vend dhe i bëjnë thirrje kompanisë së furnizimit KESCO që të respektoj të drejtat e konsumatorëve për informim, furnizim të rregullt dhe për kompensim të dëmeve. Njëherit, ftojmë Qeverinë dhe institucionet e tjera që në vend të fajsimit të konsumatorëve t’u dalin atyre në ndihmë në këtë kohë të krizës dhe të gjejnë rrugëzgjidhje në dobi të konsumatorëve. Konsumatorët janë të pa informuar, të diskriminuar dhe të lënë pa shërbime bazë në një kohë të vështirë e pa të drejtë!
 
Energjia elektrike është produkt bazë pa të cilin jeta e konsumatorëve vështirësohet. Përveç që me lehtësi u urdhërua privimi i konsumatorëve nga energjia elektrike, ata nuk po informohen me kohë mbi kohëzgjatjen e reduktimeve. Për më tepër, nuk ka një plan transparent se deri kur do të zgjasë kjo periudhë. Neni 4 i Ligjit Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorëve thekson qartë që e drejta për informim të konsumatorëve dhe e drejta për shfrytëzim të shërbimeve publike është e drejtë thelbësore. Me reduktimet pa njoftim dhe orar, KEDS/KESCO po shkelin një parim bazë të të drejtave të konsumatorëve.
Ne jemi thellësisht të shqetësuar me tejzgjatjen e reduktimeve. Konsumatorë gjithandej Kosovës po raportojnë për periudha shumë më të gjata sesa dy orë me reduktime. I bëjmë thirrje urgjente Zyrës së Rregullatorit për Energji që të monitoroj në mënyrë strikte zbatimin e “dy orëshit” të reduktimeve dhe të shqiptoj gjoba në rastet kur kjo periudhë e proklamuar nuk respektohet. Konsumatorët e Kosovës i lusim të jenë vigjilent dhe të ankohen për shkeljet që po ndodhin. Shfrytëzoni të drejtën tuaj dhe parashtroni ankesë në info@kesco-energy.com si dhe në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në Zyrën e Rregullatorit për Energji në email-in ankesa.dmk@ero-ks.org.
Terri nuk është zgjidhja. Energjia elektrike është shërbim i domosdoshëm për konsumatorët. Informimi i tyre, qasja në këto shërbime dhe dëmshpërblimi në rast të dëmit janë të drejta thelbësore me pasoja juridike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco