Tahiri kërkon nga Kurti që të mos ndërhyjnë në sistemin e karrierës

Tahiri kërkon nga Kurti që të mos ndërhyjnë në sistemin e karrierës

13:37, 15/11/2021

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një konferencë për media ka folur për Ligjin e Pagave dhe Ligjin për Zyrtarë Publik.

Sipas Tahirit, Ligji për Zyrtarë Publik nga ana e Qeverisë Kurti ka për synim t’i dëmtojë të arriturat që administrata shtetërore dhe shërbimi civil i ka arritur në këto 20 vjet.

“E para, ka të bëjë me tendencën e qeverisë aktuale me e prishë sistemin e karrierës në shërbimin civil, që nënkupton në aspektin praktik, shefat e divizioneve dhe shefat e departamenteve në shërbim civil, praktikisht kthehen në një marrëdhënie pune si në sektorin privat”.

“E dyta, ka të bëjë me kategorizimin e zyrtarëve publik në këtë ligj që drejtpërdrejtë e afekton Ligjin e Pagave, dhe që nënkupton se ky kategorizim rritë dhe zvogëlon pagat në bazë të kategorisë që do të vendosë vet qeveria”, është shprehur Tahiri.

Tutje, ai thotë se Ligji i Pagave është në agjendën legjislative që në Kuvendin e Kosovës është dashur të vjen më 29 tetor të këtij viti, por sipas tij, ky ligj nuk është sot në kuvend dhe as amandamentimi i Ligjit për Zytarë Publik dhe as Ligji për Qeveri.

“Kjo nënkupton se kjo qeveri nuk ka vullnet politik që Ligjin e Pagave ta sjellë në kuvend dhe rrjedhimisht e ka mashtruar opinionin publik që ky ligj do të hyjë në fuqi sepse nuk ka shancë që në bazë të afateve kohore që i përcakton rregullorja e punës së qeverisë”, është shprehur Tahiri.

Më tej, Tahiri kërkoi nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Kurti që të mos ndërhyjnë në sistemin e karriereës në Ligjin për Zyrtarë Publik.

“Kërkesa jonë për Qeverinë e Kosovës dhe për kryeministrin Kurti është e thjeshtë: Mos e prekni sistemin e karrierës në Ligjin për Zyrtarë Publik, sepse është punuar që 20 vjet për ta ndërtuar një sistem i karrierës dhe tani ju doni ta ndryshoni këtë ligj që afekton drejtpërdrejtë një të arritur të madhe”, ka thënë Tahiri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco