Ekspertët e sigurisë kërkojnë përmbajtje nga Specialët: Të ndërhyhet veç nëse dështojnë mjetet diplomatike

Ekspertët e sigurisë kërkojnë përmbajtje nga Specialët: Të ndërhyhet veç nëse dështojnë mjetet diplomatike

19:22, 26/09/2021

Po vazhdon dita e shtatë e gjendjes së tensionuar në veri pas vendosjes së reciprocitetit të targave me Serbinë, ku shumë qytetarë serbë janë duke protestuar dhe bllokuar tërësisht rrugët.

Protestuesit serb po kërkojnë tërheqjen e vendimit për reciprocitet ndaj Serbisë për targa, duke kërkuar edhe themelimin e Asosacionit të Komunave me shumicë serbe, për të cilin kanë shpalosur edhe një pankartë në vendin ku janë duke protestuar në veri të Mitrovicës.

Për ngjarjet e fundit kanë reaguar edhe shtetet e huaja duke kërkuar qetësi dhe bashkëpunim mes dy shteteve, për të mos krijuar tensione.

Vendimin për reciprocitet e kanë mbështetur edhe partitë politike në opozitë të vendit, të cilët kanë kërkuar nga kryeministri Kurti që të koordinohet me aleatët e Kosovës, si SHBA-ja dhe BE-ja.

Por, a duhet tërhiqen barrikadat nga veriu nga Njësia Speciale?

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja për lajmi.net sqaroi për hapat të cilat duhet të ndërmerren në situatën e krijuar në veri të vendit.

Sipas Qehajës, heqja e barrikadave nga Njësiti Special i Kosovës duhet të bëhet vetëm nëse ana diplomatike nuk ka sukses dhe Bashkimi Eurpoian nuk bën presion ndaj Serbisë, në të kundërtën sipas tij duhet të pritet edhe disa ditë që barrikadat në veri të fillojnë të hiqen nga vet serbët.

“Unë kujtoj që edhe disa ditë duhet të pritet që këto barrikada duhet të hiqen vet ata të fillojnë me i hjek, por nëse shihet që edhe në anën diplomatike nuk ka suksese, Bashkimi Evropian nuk ka presion ndaj Serbisë zyrtare, atëherë ne duhet të ndërmarrim masa si shtet që të fillojmë gradualisht të fillojmë ti hjekim barrikadat”, tha Qehaja për lajmi.net.

Për Qehajën, aksioni i serbëve në veri ka qenë i pritur pas vënies së reciprocitetit nga ana e Qeverisë Kosovës. Madje ai vet e përkrahë vendimin e qeverisë.

Por gjithmonë sipas tij, qeveria nuk ka qenë e përgaditur për një situatë të tillë, madje ai thotë se është dashur të parashihen disa gjëra.

“Unë e kom prit, një gjë të tillë nga ana e serbëve pas vënies së reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës, bile unë e përkrahi këtë vendim. Por , qeveria nuk ka qenë e përgaditur për një situatë të tillë, qeveria është dashtë me i parapa disa gjana, por tash ka ndodhë kjo”, tha njohësi i sigurisë.

Për njohësin e sigurisë, Njësiti Special në asnjë mënyrë nuk duhet të tërhiqet nga pjesa e territorit të Kosovës, pasi sipas tij një gjë e tillë ka ndodhur para pesë apo gjashtë viteve, ku një ditë pas vendosjes së Njësitit Special është tërhequr, gjë të cilën Qehaja e mendon si opcion të papërsëritshëm, dhe që duhet të vazhdojnë të kryejnë detyrat që ju parashtrohen.

“Asesi nuk guxon të tërhiqet njësiti special nga ajo pjesë e territorit tanë, një here kjo na ka ndodhë para pesë apo gjashtë viteve, spom kujtohet saktë koha, osht detashu atje policia speciale e të nesërmen është kthy, do të thotë ne nuk duhet të lejojmë të ndodhë një e tillë, ajo duhet të qëndrojë atje së bashku me Policinë e Kosovës dhe ti kryejnë detyrat që ju parashtrohen”, shtoi ndër të tjera Qehaja.

Edhe sipas Nuredin Ibishit, tjetër njohës i sigurisë, duhet domosdoshmërishtë të bëhet një marrëveshje nga ana ndërkombëtare, ku sipas tij të dyja palët do të mund të bisedonin për tërheqje të dyanshme.

“Duhet domosdoshmërishtë të bëhet marrëveshja ndërkombëtare, me qëllim që dy palët, të bisedohet për tërheqje të dyanshme”, tha për lajmi.net Ibishi.

Ibishi situatën në veri nuk e sheh tërësisht të bllokuar pasi sipas tij, vetëm dy pikat kufitare janë të bllokuara.

“Nuk ka tërheqje pik së pari, pra do të vazhdohet, megjithatë nuk është situata tërësisht e bllokuar, katër nga pikat që i kemi janë tuj funksionu shumë mire edhe që po zbatohet reciprociteti për targat e përkohëshme RKS, ndërsa vetëm dy të tjera është qarkullimi jo i mire për shkak të bllokimit të dy rrugëve”,  shtoi ndër të tjera ai.

Ai gjithashtu, e ka përshëndetur bashkimin pozitë dhe opozitë, për situatën e krijuar atje, dhe gjithashtu ai ka kërkuar që njësitë përkatëse në veri për çështje sigurie të parandalojnë tensionet të cilat do të mund të çonin drejt një lufte.

“Por sido që të jetë unë e përshëndes këtë bashkim me qëllim që të jemi të zëshëm pozit opozit dhe që aksioni policor në veri të mbrojë tensionet atje të cilat do të mund të qonin drejt një lufte”, tha ndër të tjera Ibishi.

Ndërkohë gjendja në veri po vazhdon të jetë e njejtë dhe gjatë ditës së sotme është kryer ndërrimi i Njësisë Speciale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco