Ambasadori hungarez: Janë përmbushur obligimet për liberalizimin e vizave

Ambasadori hungarez: Janë përmbushur obligimet për liberalizimin e vizave

15:47, 21/09/2020

Kryeministri Avdullah Hoti e ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Hungarisë, József Bencze.

Bencze tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Hungaria konsideron se Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet për liberalizimin e vizave”, theksoi ndër të tjerash ambasadori József Bencze, i cili e siguroi kryeministrin Hoti se Hungaria do të vazhdojë ta mbështesë edhe më tej agjendën e integrimit europerëndimor të Kosovës.

Ambasadori hungarez gjithashtu riafirmoi mbështetjen e Hungarisë për Kosovën, duke ofruar kredi prej 62 milionë eurosh që pritet të ratifikohet nga Kuvendi

Po ashtu, në këtë takim u diskutua edhe për organizimin e takimit të Këshillit ekonomik Kosovë – Hungari, si dhe për shkëmbimin e vizitave reciproke në nivel të lartë dhe nënshkrimin e Protokollit për bashkëpunim në fushën e arsimit.

“Kur është fjala për arsimin, duhet theksuar se Hungaria ka ndarë 75 bursa universitarë për studentët nga Kosova”, thuhet mes tjerash në komunikatën e ZKM-së për takimin.

Duke i dëshiruar mirëseardhje ambasadorit Bencze, kryeministri Hoti shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e përhershme të Hungarisë.

Hoti e njoftoi ambasadorin Bencze për prioritet e Qeverisë së Kosovës, siç i përmendi, parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë COVID–19, pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit.

Në takim, kryeministri gjithashtu foli edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që siç thekson gjithmonë Hoti, duhet të përfundojë me njohje reciproke.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco