Lufta e konkurrencës i bën bashkë të fortit e shoubizit

Lufta e konkurrencës i bën bashkë të fortit e shoubizit

10:44, 30/06/2022

Vera ka ardhur, e bashkë me të janë lansuar edhe shumë këngë, që po pretendohen të bëhen hite të këtij viti. Por, e veçanta e 2022-ës janë duetet mes këngëtarëve që kurrë s’e kemi imagjinuar se mund t’i shohim bashkë në projekte muzikore. Syri.net Kosova sjell më poshtë disa prej bashkëpunimeve me të klikuara në Youtube dhe jo vetëm

Erdonit HOXHA

Nga do që e kthen kokën, në vetura, kafiteri apo në qendra estetike, krejt çka mundesh me dëgju, janë këngët e reja, prurjet e suksesshme të këtij viti.

Mirëpo, rrallë prej këtyre këngëve është solo.

Këngëtarët shqiptarë sivjet kanë vendosur që të vijnë me bashkëpunime, madje, disa prej tyre as që i kemi imagjinuar se mund të bashkëpunojnë, pasi, nuk është se kemi parë e dëgjuar për ndonjë shoqëri mes tyre, që do ishte indikacion për duet.

Sido që të jetë, kjo metodë e debutimit për këtë vit, sipas gazetarit Nderim Nezirit, është për shkak se një këngë solo, nuk mund të ketë efektin e dyshes.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, Nderimi tha se vera pritet të rezervojë edhe surpriza tjera.

“Edhe kjo verë duket që do të jetë e nxehtë në  të ashtuquajturën “industrinë” muzikore shqiptare. Në fakt, ne kemi vetëm një industri produktive, e që është kjo e muzikës. Duetet vazhdojnë të jenë trend, për shkak se një nuk mund të ketë efektin e dyshes. Pastaj, bashkimi bënë fuqinë. Dueti apsolut deri më tani është “Heart Attack” nga Noizy dhe Loredana, pa përjashtuar edhe Noizy dhe Yll Limani dhe Tuna e Fifi. Gjithsesi, me gjasë kjo verë do të rezervoj edhe surpriza të tjera” tha Neziri.

I pyetur se duetet mes emrave të njohur të skenës, a vijnë si rezultat i frikës së tyre nga konkurrenca e madhe në industrinë muzikore, Nderimi tha se këngëtarët shfrytëzojnë famën e njëri-tjetrit për të qëndruar të fortë në skenë.

“Në botën e muzikës në vend konkurrenca është tejet e theksuar, pasi këngëtarët i nënshtrohen një audience që nuk është kush e di sa e madhe, andaj duket sikur duetet ndër tjerash shfrytëzohen edhe për përfitim nga fama dhe impakti i njëri tjetrit në publik. Disi me duo, janë në rrugë më të sigurt dhe ka më pak gjasa të shkelet në dërrasa të kalbtë” përfundoi ai.

Syri.net Kosova sjell disa prej bashkëpunimeve më interesante të kësaj vere

Elvana Gjata ft Dhurata Dora

Që kur u bë publik lajmi se do vijnë me duet, kënga e palansuar akoma deri më tani e Elvana Gjatës dhe Dhurata Dorës, ka zgjuar interes të madh te publiku. Ky projekt muzikor po pritet me entuziazëm të madh dhe akoma pa dal në treg, po konsiderohet hiti i kësaj vere. Se a do jetë i tillë, presim të shohim, pasi edhe Elvana edhe Dhurata, gëzojnë numër të madh të ndjekësve, e një bashkim i tillë, doemos nënkupton sukses

Image

Noizy ft Loredana

Të dy janë emra shumë të dashur për publikun. Këtë verë, ndonëse nuk e kemi pritur, Noizy dhe Loredana janë bërë bashkë për ‘Heart Attack’, projekt ky muzikor që nxori një bashkëpunim shumë interesant. Ndonëse Loredana u kritikua për një pjesë të tekstit, të inspiruar nga Dafina Zeqiri, kjo gjë nuk ia zbehi suksesin projektit, pasi, për thuajse 13 ditë, ‘Heart Attack’ u klikua më shumë se 12 milionë herë në Youtube.

Tayna&Mozzik&Butrint Imeri

Veç e veç, secili prej tyre është artist i dashur te publiku. E, një projekt trio mes tyre, le që nuk e kemi imagjinuar, por, që ka qenë një befasi e bukur për fansat e tyre. ‘Pare’ quhet kënga mes Taynës, Mozzik e Butrint Imerit, e cila u publikua në të njëjtën datë me ‘Heart Attack’ të Loredanës dhe Noizyt dhe me klikime janë duke shkuar njëjtë, pasi, edhe kjo këngë trio, deri tani ka mbi 12 milionë klikime. Madje, ‘Pare’ dhe ‘Heart Attacat’ po llogaritet edhe si një garë e nxehtë mes Loredanës e Mozzik, ish-çiftit të njohur të shoubizit. Vera është e gjatë, e shohim në fund kush do të fitojë.

Tuna ft Fifi

Nuk është se e kemi parë ndonjë shoqëri të madhe mes tyre, sa të prisnim një duet. Por, pa një pa dy, Fifi dhe Tuna erdhën me ‘Melaqe’. Kënga që surprizoi gjithë fansat e tyre,  ishte një ‘goditje’ e bukur e këngëtareve, për këtë verë. Me këtë këngë, Fifi dhe Tuna mbase do jenë bashkë edhe në koncerte, që i bie t’ia shohin hajrin njëra-tjetrës. Edhe sa u përket klikimeve, ‘Melaqe’ e dyshes po ecë mjaft mirë, e po dëgjohet kudo.

Noizy ft Yll Limani

Noizy këtë verë siç duket e ka vendosur që të bashkëpunojë vetëm me emra të njohur. Pos këngës me Loredanën, këtë vit ai ka sjellur këngë edhe me Yll Limanin e Ardian Bujupin. Por, kënga më e klikuar e Noizyt në duet, është projekti me Yllin. Kënga ‘Alkool’, me plot ritëm, deri më tani u klikua me shumë se 16 milionë herë. Dyshja po pëlqehen e po dëgjohen kudo, sidomos në koncerte, ku që të dy kanë shumë në këtë verë.

Dafina Zeqiri ft Kida

Se janë shoqe e mbështetje për njëra- tjetrën, e kemi ditur. E, i pritshëm një duet mes Kidës e Dafina Zeqirit ka qenë mëse i pritshëm. Mirëpo, kënga e tyre ‘Luje Belin’, ndonëse po ecë mirë me klikime në Youtube, u gjend mes kritikave. Kjo se, ky projekt u cilësua si “shumë i dobët” në krahasim me këngët e tjera solo të tyre. Kritikat e tilla kanë nxitur edhe reagimin e Dafinës, e cila tha se njerëzit duhet ta shijojnë këngën e dyshes, “pa filozofuar” dhe të bejnë siç thotë edhe vet titulli, ta luajnë belin, shkruan Syri Kosova.

Bardhi ft Majk

Një tjetër projekt që po pretendon të bëhet hit i kësaj vere, është kënga ‘Ama’ e Bardhit dhe Majkut. Dyshja kanë ardhur me këtë projekt në javën e parë të qershorit dhe deri më tani u klikua mbi 8 milionë herë.  Me klip veror e me shumë ritëm, Majk e Bardhi janë përshtatur mjaft mirë me njëri-tjetrin në stil, ani pse shumë ngjasojnë në stilin e të kënduarit. Nga ana tjetër, Majk këtë vit ka sjell duete edhe me Gjikon dhe Getoar Selimin, kurse, Bardhi ka pasur duet edhe me Elvana Gjatën dhe DJ Gimi-O.

Se vera e këtij viti është verë e dueteve, e dëshmojnë edhe këngët tjera që janë bashkëpunim.

Fjala është për:

Ledri ft Kida

Alban Skenderaj ft Capital T

Rina ft Sin Boy

Ron ft Semi Jajupaj

Gent Fatali ft Fifi

2Ton ft Belah

Ronela ft Matolale, etj, etj, etj...

Mirëpo, duke qenë se vera është e gjatë, presim edhe surpriza tjera, për ta shpallur në fund DYSHEN KAMPIONE TË VITIT 2022.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco