Guvernatori Ismaili priti në takim delegacionin e lartë të FMN-së

Guvernatori Ismaili priti në takim delegacionin e lartë të FMN-së

15:32, 27/09/2023

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili priti sot në takim delegacionin e FMN-së, të udhëhequr nga shefi i misonit në Uashington, Gabriel Di Bella.

Sipas njoftimit të BQK-së, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në sektorin financiar me theks të veçantë në fushën e mbikëqyrjes financiare, stabilitetit financiar dhe statistikave.

"Guvernatori Ismaili shpalosi prioritetet dhe planet për zbatim gjatë mandatit të tij për avancimin e BQK-së lidhur me qeverisjen, kornizën rregullative dhe mbikëqyrëse, sistemin e pagesave, edukimin financiar dhe fushave tjera me rëndësi që lidhen me objektivat e BQK-së duke i ndërlidhur ato me mbështetjen e nevojshme të asistencave teknike të FMN-së. Asistenca teknike do të definohet në margjinat e takimeve vjetore të FMN-së që do të mbahen muajin e ardhshëm, ku edhe delegacioni i BQK-së do të jetë prezent krahas shteteve tjera anëtare", thuhet në njoftim.

Tutje u tha se në takim u konkludua se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe FMN-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si në funksion të zhvillimeve në sektorin financiar ashtu edhe të mbështetjes nga FMN përmes asistencës teknike.

Misioni i FMN-së do të qëndrojë për disa ditë në Republikën e Kosovës në kuadër të procesit të rishikimit të aranzhimeve kontraktuale në programin në fuqi.

"Di Bella së bashku me ekipin e tij e uruan guvernatorin Ismaili për emërimin në pozitën e guvernatorit të BQK-së dhe ofruan bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetjen e plotë të FMN-së. Guvernatori Ismaili e falënderoi Di Bella për kontributin e FMN-së në zhvillimin e deritanishëm të BQK-së, avancimin e sistemit financiar, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në përgjithësi", thuhet tutje në njoftim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco