Prodhimi i Brendshëm së Kosovës ka shënuar rritje reale për 2.02 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.
Kështu është bërë e ditur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke shtuar se rënia e eksporteve të mallrave kanë shënuar rënie për rreth 11 për qind.
“PBB-ja në tremujorin e dytë 2023 shënon rritje reale për 2.02 për qind, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak”, bën të ditur ASK-ja.
“Komponentët e PBB-së sipas metodës së shpenzimeve që kishin rritje ishin eksporti i shërbimeve me 13.62 për qind, importi i mallrave dhe shërbimeve me 6.29 për qind, shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 3.96 për qind, shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake me 3.68 për qind dhe formimi i bruto kapitalit me 2.04 për qind. Ndërsa, rënie kishte eksporti i mallrave me 10.67 për qind”, thekson raporti.
Ku pas këtyre të dhënave, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë kritikuar Qeverinë Kurti për këtë normë, siç e kanë quajtur ata, të ulët ekonomike.
Sipas tyre, kjo rritje e ulët ekonomike po e degradon çdo ditë e më tepër standardin e jetës së qytetarëve në vend.
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa ka thënë se kjo është norma më e ulët e rritjes ekonomike në dhjetë vitet e fundit.
“Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se norma reale e rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2023 ishte vetëm 2.02 për qind – norma më e ulët e rritjes në dhjetë vitet e fundit”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Tutje, ai është shprehur se kjo normë kaq e ulët e rritjes ekonomike kryesisht reflekton kushtet e vështira nëpër të cilat po kalon sektori privat.
“Këto të dhëna tregojnë se kah po shkon ekonomia e vendit dhe me këtë edhe standardi i jetesës së qytetarëve të Kosovës që po degradon çdo ditë e më tepër. Drejtimi që ka marrë ekonomia e vendit që nga ardhja në pushtet e Albin Kurtit ilustrohet qartë nga figura në vijim”, ka përfunduar ai.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka potencuar se rritja ekonomike në vend është më e ulëta ndonjëherë.
Bajrami në një postim në Facebook shkruan se nuk ka dialog me biznese, 42 për qind e buxhetit shkon në subvencione, ndërkaq janë bllokuar investimet kapitale.
© SYRI.net