Bota po e braktis, Akademia kosovare e Shkencave mbetet te qymyri

Bota po e braktis, Akademia kosovare e Shkencave mbetet te qymyri

12:57, 13/01/2022

Akademia e Shkencave të Kosovës e ka pasur të gatshëm (para dy vitesh) raportin për energjinë. Në vizitën e tij, në Akademi – kryeministri Kurti është njohur me opsionet për energjinë, të cilat nuk dallojnë nga ato që Kosova me strategji i ka ndjekur për dy dekada, por ka dështuar t’i realizoi. Në raport sugjerohet që të ndërtohen kapacitete 600-700 megavat nga qymyri, si mundësia më ekonomike e Kosovë.  

 

Në vitin 2020, shtatë akademikë të Kosovës kishin nxjerr një “Raport për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë”. Më 13 nëntor 2019 ishte themeluar një Grup Punues me iniciativë të kryetarit të ASHAK-ut, Akademik Mehmet Kraja.

Anëtarë të këtij grupi ishin:

1. Akademik Isuf Krasniqi, kryesues
2. Akademik Fejzullah Krasniqi,
3. Anëtare korrespondente Myzafere Limani,
4. Akademik Nexhat Daci,
5. Anëtar korrespondent Salih Gashi,
6. Anëtar korrespondent Fetah Podvorica dhe
7. Anëtar korrespondent Arsim Morina.

Grupi i akademikëve kishte shqyrtuar të gjitha publikimet siç thuhet në mënyrë “kritike” për prodhimin e energjisë elektrike të publikuar pas luftës në Kosovë dhe kishte nxjerr këto rekomandime:

Ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese me bazë fosile (linjit) dhe krahas kësaj ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga BRE (Burimet e ripërtëritshme të energjisë) ose

Importimin e energjisë elektrike.

Grupi punues pas analizës në mënyrë kritike të të gjitha opsioneve, duke pasur parasysh potencialet energjetike të vendit dhe papara-shikueshmërinë e çmimit të energjisë dhe sigurisë së furnizimit e përkrah furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike nga burimet energjetike vendore bazuar në rezervat e linjitit.

Duke e përkrahur opsionin e parë të furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike, propozojmë:

Në vend të ndërtimit të TCKR me kapacitet 500 MW (bruto), respektivisht 450 MW (neto) energji elektrike, sugjerojmë që të ndërtohen dy blloqe secila me nga (300 deri 350) MW me etapa të ndërtimit pesëvjeçare. Etapa e parë (Blloku I) të përfundohet dhe të lëshohet në punë deri në vitin 2025, ndërsa në etapën e dytë (Blloku II) të përfundohet deri në vitin 2030. Të dy blloqet duhet të kenë parametra subkritikë (SC) me efiçiencë rreth 40%. Secila nga këto blloqe duhet të ketë mundësinë për koogjenerim (prodhim i përbashkët i energjisë elektrike dhe energjisë termike) me të  paktën (6-10)% të kapacitetit nominal të prodhimit të energjisë elektrike (300 deri 350 MW).

Varianti i propozuar me fuqi të instaluar 300 deri 350 MW do të ishte kompatibil me një bllok të TC Kosova B, ashtu që në rast të rënies nga sistemi i bllokut përkatës SEE (Sistemi elektroenergjetik) i vendit nuk do të pësonte disbalance dhe çrregullime të mëdha në sistem krahasuar me një njësi të vetme prej 500 MË, nëse eventualisht kjo njësi për arsye të ndryshme teknike do të binte nga operimi.

Zgjerimi i rrjetit të furnizimit me nxehtësi nga sistemi i koogjenerimit për qytetin e Prishtinës, duke rritur rrezen e furnizimit dhe shtimin e kapaciteteve të sistemit të koogjenerimit për përfshirjen e Obiliqit dhe Fushë-Kosovës në sistem të furnizimit.

Ndërtimi i kapaciteteve të reja do të mundësonte zëvendësimin e njësive të vjetra prodhuese të TC Kosova A dhe do të siguronte rritjen e sigurisë në furnizimin me energji dhe njëherësh do të siguronte rezervë të domosdoshme për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Nga ana tjetër, mbështetja në resurset vendore kryesisht të linjitit dhe në një pjesë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë do ta zvogëlonte në masë të konsiderueshme varësinë e vendit nga importi i energjisë elektrike dhe nga  papara shikueshmëria e çmimit të saj në tregun rajonal.

Futja në punë e blloqeve të reja dhe krahas kësaj rehabilitimi i dy blloqeve të TC Kosova B do të zëvendësojë prodhimin e energjisë elektrike që prodhohet nga tri blloqet e TC-së Kosovës A, si dhe do të zvogëlojë nevojën për importim të energjisë elektrike.

Kapacitetet e reja gjeneruese do të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe termike, që janë parakusht për investime të reja e që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Grupi punues po ashtu sugjeron që Qeveria gjatë shqyrtimit të shtimit të kapaciteteve prodhuese të merr parasysh edhe opsionin e ndërtimit të kapaciteteve të reja me financim te mëvetësishëm me kredi të buta për një periudhë dhjetëvjeçare.
Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Konkluzionet për ndikimin në mjedis:

- Të zvogëlohet sasia e emisionit të SO2 dhe e gazrave NOx të hedhur prej tymtarëve në vlerën deri 200 mg/m3N në mënyrë që ato të jenë brenda vlerave të lejuara sipas normave të BE-së të parashikuara të hyjnë në fuqi në vitet 2023, përkatësisht 2026.

- Të bëhen përpjekje që niveli i SO2 të zvogëlohet përmes procesit të desulfurimit me CaO siç është propozuar në këtë raport;

- Të bëhet riparimi i filtrave elektrostatikë të TC-së Kosova B në traktin e gazrave në mënyrë që të zvogëlohet sasia e pluhurit të emituar dhe ajo të jetë nën vlerën 50 mg/m3N në kushtet aktuale dhe deri nën vlerën 20 mg/m3N në vitin 2026;

- Të funksionalizohen analizatorët e gazrave ndotës në të gjitha blloqet dhe të bëhet monitorimi i vazhdueshëm dhe i saktë i emisionit të ndotësve të ajrit;

- Të zvogëlohet sasia e CO2 të hedhur prej tymtarëve, e cila në vitin 2019 ishte 95.3 kg CO2/s për tri blloqet e TC Kosova A dhe 131.1 kg CO2/s për dy blloqet e TC Kosova B për shkak të efektit të tij në ngrohje globale dhe taksës ekologjike e cila imponohet në të ardhmen për çdo ton të CO2 të prodhuar. Aktualisht kjo taksë aplikohet në shtetet e BE-së;

- Të bëhet monitorimi i vazhdueshëm i ndotjes së ujit dhe tokës në hapësirën e Komunës së Obiliqit me rrethinë për shkak të ndikimit të përbërësve të ndryshëm të hirit;

- Të vazhdohet me përcjelljen e të dhënave dhe numrit të pacientëve që vijnë nga rajoni i Obiliqit dhe i Prishtinës, të cilët vuajnë prej sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare në mënyrë që të vërehet menjëherë ndikimi negativ i efektit të ndotjes së ajrit në cilësinë e jetës dhe ai të evitohet.

Nga ana e saj, Qeveria ka filluar hartimin e një strategjie dhjetëvjeçare për energjinë e cila do t’i propozohet Kuvendit në mars.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco