Përmes një tenderi të dyshimtë, Ministria e Infrastrukturës jep edhe 76 mijë euro tjera

Përmes një tenderi të dyshimtë, Ministria e Infrastrukturës jep edhe 76 mijë euro tjera

17:24, 02/08/2021

Gati 76 mijë Euro tjera nga buxheti i shtetit, Ministria e Infrastrukturës, i ka paraparë ti ndajë një operatori ekonomik për rikonstruimin e Rrugës Miradi-Zona Industriale të Prishtinës, përmes një tenderi të mbyllur, me procedurë të negocimit. Kjo formë e dhënies së tenderëve, tashmë është bërë diçka e zakonshme në Ministrinë e drejtuar nga Liburn Aliu e zëvendësi i tij Hysen Durmishi, sado që konsiderohet si e dyshimtë.

Të hënën Ministria e Infrastrukturë ka njoftuar për nënshkrimin e kontratës së negociuar për rikonstruimin e Rrugës Miradi-Zona Industriale, e cila pa tender të hapur i është dhënë grupit të Operatorëve Ekonomik “Fidaie Bytyçi B.I”. dhe “K.N.P.SH. PAPENBURG & ADRIANI COMPANY SH.P.K”.

Vlera e kësaj kontratë është 75.972,38 Euro, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net. Derisa si datë e përgatitjes së njoftimit, nga ana e shefit të prokurorimit të MI-së, Nexhat Krasniqi, del të jetë 30 korriku 2021.

  

Vetëm tre ditë para kësaj kontratë të negociuar, pa tender të hapur, Gazeta Online ‘Reporteri.net’ kishte raportuar se si në të njëjtën ministri të udhëhequr nga figurat e njohura të partisë së Kryeministrit Albin Kurti, në mënyrë një burimore, më 23 korrik 2021, i është dhënë një tjetër tender mbi 85 mijë Euro kompanisë N.N.T. “A.B.C.” nga Podujeva, për “Asfaltimin e Rrugëve në Kamenicë”.

Sikur të mos mjaftonte, kjo kishte ndodhur vetëm një javë pasi grupi i operatorëve ekonomik “Velkom KS SH.P.K.”; “AE Consulting, Inc.”, fitoi po ashtu kontratë pa tender, në vlerë 226 mijë euro për zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nga Ministria e Infrastrukturës.

Të gjithë tenderët e negociuar janë prokuroruar nga Nexhat Krasniqi, shefi i dënuar për korrupsion i prokurorimit në MI, që njëherësh është edhe personi kontaktues i Ministrisë së Aliut e Durmishit të VV-së.

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës.”, thuhet si informatë plotësuese në dokument.

 

Ndryshe, Ligji për Prokurim Publik, e specifikon se procedurat e negociuara, si në rastin e këtij tenderi, aplikohet në rrethana të veçanta ku autoriteti kontraktues fton dhe këshillohet me operatorët ekonomik të zgjedhur nga ai për t’i negociuar kushtet e kontratës me njërin ose më shumë prej tyre.

Ndërsa, procedurë e hapur nënkupton procedurat e prokurimit që i lejojnë çdo operatori të interesuar ekonomik të paraqet tender e t’i hyj garës për ta fituar atë.

Në Ministrinë e Infrastrukturës, sipas raportimeve të medieve, prej kur drejtohet nga ministri Liburn Aliu dhe zëvendësi i tij Hysen Durmishi, janë shpërndarë mbi 5 milionë euro përmes tenderëve të dhënë pa procedura të hapura.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco