Rishikimi ia shton disa miliona buxhetit të Kosovës

Rishikimi ia shton disa miliona buxhetit të Kosovës

16:03, 26/07/2021

Shpenzimet sipas Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2021, ishin paraparë të jenë 2.454 miliardë euro, kurse gjatë rishikimit të buxhetit parashikohet të jenë 2.517 miliardë euro apo 3% më shumë sesa buxheti i aprovuar.

Këtë e ka konfirmuar, kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja.

Sipas Mujës bazuar në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021,  të hyrat të përgjithshme tatimore që ishin planifikuar të jenë 1,887.9 miliardë euro pritet të rriten për 155.3 milionë apo 7.6% përgjatë rishikimit të buxhetit, pra në total te hyrat tatimore pritet të jetë 2,043.2 miliardë euro.  

“Planifikimi i parashikuar i të hyrave tatimore pritet të mbështetet kryesisht nga tatimet direkte dhe indirekte, veçanërisht nga TVSH-ja dhe akciza dhe nga grantet për mbështetje buxhetore. Tatimet direkte (tatimi në të ardhurat e korporatave, të ardhurat personal, pronë etj.), pritet të rriten rreth 7%, apo 22.4 milionë euro. Tatimet indirekte (TVSH, vendore, kufitare, detyrimet doganore, akciza etj.), parashihen poashtu të rriten mesatarisht me 7%, apo 66.9 m, me rishikimin e buxhetit”, tha Muja për portalin Kallxo.

Ai ka treguar se sipas projeksioneve të miratuara me ligjin e buxhetit 2021, shuma e përgjithshme për financim që ishte paraparë për të pasur bilanc buxhetor 629.1 milionë euro, por sipas tij gjatë rishikimit të buxhetit kjo shumë është zvogëluar në 473.4 milionë euro.

“Pra kemi zvogëlim për 155.7 milionë euro më pak apo -20%, për shkak të pandemisë dhe masave që pritet të ndërmerren. Ky deficit është planifikuar të mbulohet përmes financimit të brendshëm dhe të jashtëm”, shtoi ai.

Bazuar në të dhënat e paraqitura në Projektligjin Nr.08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, si dhe aneksin e paraqitur me përmbledhjen e organizatave buxhetore, Muja tha se e shohin që pjesën më të madhe të buxhetit në nivelin qendror pritet ta shpenzojë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me 753.8 milion euro apo rreth 40 % të totalit të buxhetit të nivelit qendror, pastaj është Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 200.4 milion euro apo 10.4%, pastaj vjen Ministria e Punëve të Brendshme me 147.2 milion euro apo 7.6%, pastaj është Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës me 117.9 milion euro apo 6.13% si dhe Ministria e Shëndetësisë me 117.5 milion euro apo 6.12% të total buxhetit të nivelit qendror si dhe OB tjera që paraqesin nivelin e përqindjes më të vogël.​

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco