Këto janë masat për ringjalljen ekonomike

Këto janë masat për ringjalljen ekonomike

10:37, 06/07/2021


Qeveria e Kosovës, ka prezantuar masat për ringjalljen ekonomike, konkretisht nga Ministria e Financave 

Sipas tyre masa e dytë: 108 milionë euro për ringjalljen e ekonomisë dhe prodhimit
- 108 milionë euro për investime në teknologji e inovacion, prodhim dhe eksport, pa harruar as mbështetjen e bizneseve që u goditën më së shumti nga pandemia.
- 30 milionë euro me qëllim të mundësimit të investimeve të reja. 

Të gjitha bizneset prodhuese dhe përpunuese do të mbështeten nëse marrin kredi për të financuar zgjerimin e kapaciteteve, duke ua subvencionuar deri në 20% të kryegjësë së kredisë, më saktësisht 10% të kryegjësë në fillim, për të mundësuar një grejs periudhë fillestare, si dhe 10% tjera në fund të kredisë në rast se janë përmbushur objektivat e investimit.

Bizneset që janë në pronësi të grave po ashtu do të mbështeten nëse marrin kredi për rritje të kapaciteteve, me deri në 20%, pavarësisht sektorit në të cilin operojnë.

Bizneset që kanë pësuar rënie në të hyra, mirëpo megjithatë kanë ruajtur numrin e punëtorëve, dhe tani u duhet likuiditet për t’u përgatitur për investime të reja, do t’u mundësohet subvencionimi i 10% të kryegjësë së kredisë.
- 43 milionë euro mbështetje bizneseve për qasje në financa.

Me qëllim të lehtësimit të qasjes në financim, do të mbështetet Fondi Kosovar për Garanci Kreditore duke shtuar kapitalin për edhe 40 milionë euro tjera, që do të mundësojnë garantimin e rreth 120 milionë eurove kredi shtesë për bizneset. 

Po ashtu, me 3 milionë euro tjera do të subvencionohen tarifat e Fondit, gjë që do të çlirojë potencial për edhe 86 milionë euro tjera kredi të garantuara.
– 10 milionë euro për Investime në TI dhe Inovacion.

7 milionë euro janë dedikuar për investim në digjitalizim dhe inovacion, duke mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme drejt tranzicionit në epokën digjitale. 

Gjithashtu, 3 milionë euro do të investohen në parkun e inovacionit dhe trajnimeve në Prizren (ITP Prizren) për të krijuar një nyje të rëndësishme për zhvillimin e sektorit të TI-së. Këto investime do të mobilizojnë edhe rreth 4 milionë euro tjera grante nga donatorët.
- 10 milionë euro mbështetje eksportit. 

Me këtë masë do të mbështeten bizneset prodhuese dhe eksportuese në rritje të cilësisë dhe marrjen e certifikimeve të nevojshme. Si pjesë e mbështetjes do të jetë edhe asistenca në dizajnim dhe marketing të produkteve. Po ashtu, do të mbështetet edhe pjesëmarrja në panaire jashtë vendit.
- 10 milionë euro për ringjalljen e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizmit.

Mbështetja e produkteve bujqësore duhet të bëhet edhe përtej prodhimit. Me anë të kësaj mase do të investohet në krijimin e infrastrukturës dhe parakushteve për zhvillimin e agroturizmit nëpër fshatrat tona. Kjo përfshin edhe mbështetjen për investime që do të mundësojnë shndërrimin e shtëpive të fshatit në bujtina që mund të presin mysafirë. 
- 5 milionë euro për rikuperimin e hotelerisë dhe bizneseve të mbyllura.

Me këtë masë do të mbështeten bizneset të cilat kanë pësuar më së shumti gjatë pandemisë dhe për shkak të mbylljes nuk kanë arritur të kryejnë detyrimet që kanë pasur ndaj institucioneve shtetërore dhe bankave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco