Si e heshti Vetëvendosja skandalin e 2.1 milionëve

Si e heshti Vetëvendosja skandalin e 2.1 milionëve

14:45, 21/04/2021 Nga D.G.

Gjashtë muaj më parë mbi dy milionë euro ishin marrë ilegalisht nga Thesari shtetëror i Kosovës, duke shënuar kështu njërin ndër skandalet më të mëdha që nga paslufta në Kosovë.

Asokohe, në krye të ministrisë së Financave ishte Hykmete Bajrami.

Ajo në një konference të jashtëzakonshme për media, njoftoi opinionin për një vjedhjen e 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit, shkruan Syri.net Kosova

Prokuroria Speciale e Kosovës në shkurt të këtij viti kishte njoftuar se lidhur me këtë rast ka bllokuar 34 llogari bankare dhe janë bllokuar 600 mijë euro si dhe janë sekuestruar 4 vetura.

“Ju njoftojmë se janë ngrirë 34 llogari bankare, të bizneseve në të cilat janë transferuar të hollat nga i pandehuri K. SH, pronar i (LDA Group). Vlen të theksohet se deri më tani shuma e përgjithshme e ngrirë është rreth 600,000 euro, janë sekuestruar 4 automjete vlera e përafërt e të cilave është 100,000 euro”, kishte bërë të ditur Prokuroria përmes një njoftimi. 

Por, gjashtë muaj pas, tanimë kur po bëhen një muaj prej se qeverinë e mori Lëvizja Vetëvendosje, nga Ministria e Financave që drejtohet nga Hekuran Murati, nuk kanë asnjë informacion lidhur me fatin e 2.1 milionëve.

Zëdhënësi i kësaj ministrie Muharrem Shahini për Syri.net Kosova, thotë se mjetet ende nuk janë kthyer, derisa njofton se me rastin tash po merret prokuroria.

"Me të tash merret prokuroria, ata vendosin njëherë për njëherë" tha Shahini duke mos dhënë detaje shtesë.

Ndryshe, ministri i tanishëm i Financave, Hekuran Murati, kishte qenë kogja i zëshëm për këtë skandal aso kohe.

Murati kishte thënë se ata që e kanë vjedhur Thesarin e Shtetit kanë qenë të garantuar nga dikush që nuk do të ndëshkohen.

“Duhet më shumë se planifikim për ta bërë një veprim të tillë, procedurat, rregullat dhe sistemi në thesar nuk ta lejon një gjë të tillë, dhe një person nuk do të guxonte të bënte një veprim të tillë marrë parasysh pasojat me të cilat do të duhej të përballej pastaj. Por fakti që kemi një mendësi qeverisje të tillë si në të kaluarën ku rikthehen partitë e stërvjetëruara, është normale që persona të tillë të bëjnë veprime të tilla, pra të vjedhin thesari ne shtetit sepse dikush u ka garantuar që nuk do të ndëshkohen”, tha ai.

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Kadri Shalës dhe Labinot Grudës, të dyshuar për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Këtë e ka konfirmuar ditë më parë zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vazhduar masën e paraburgimit për të pandehurin K.SH. në kohëzgjatje edhe për dy muaj, respektivisht prej datës 23 mars 2021 deri me datë 22 maj 2021, ndërsa edhe të pandehurit L.G. i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj, prej datës 17 mars 2021 deri me datë 16 maj 2021”, ka thënë Gashi

 
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco