Ëndrra 6 miliardëshe e Avdullah Hotit shkel djathtizmin e LDK-së

Ëndrra 6 miliardëshe e Avdullah Hotit shkel djathtizmin e LDK-së

11:01, 26/01/2021 Nga Dardan Gashi

Lidhja Demokratike e Kosovës pak para zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka prezantuar së fundmi programin qeverisës të kësaj partie,.

Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Avdullah Hoti ka premtuar zhvillim ekonomik të vendit me investime 6 miliardë euro në shtatë vitet e ardhshme.

Me këto investime të mëdha, Hoti ka thënë se do ta kthejnë Kosovën në nyje gjeopolitike sa i përket aktivitetit ekonomik.

“Kemi plan të madh të investimeve deri në 6 miliardë euro për 7 vitet e ardhshme dhe pjesë e këtyre investimeve është edhe plani i BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. Me këto investime të mëdha të mbështetura edhe nga partnerët ndërkombëtarë do ta kthejmë Kosovën në nyje gjeopolitike sa i përket aktivitetit ekonomik sepse do të integrohen të gjitha format e infrastrukturës”, u shpreh Hoti ndër të tjera.

Ai po ashtu ka premtuar rritje të pagës minimale në 300 euro dhe heqjen e nivelizimit të pagës minimale sipas moshës, siç është aplikuar deri më tani.

“Do ta rrisim pagën minimale në 300 euro dhe do ta heqim nivelizimin e pagës minimale sipas moshës. Nga vitit 2023 nuk do të ketë pensione që janë më të ulëta sesa paga minimale”, u shpreh Hoti. 

Rritja, e pagës minimale në 300 euro, ishte premtim edhe nga Partia Demokratike e Kosovës e cila shpalosi ditë më pare planin e saj ekonomik.

Rritja e pagës minimale do të nënkuptonte rritje automatike të pensionit të veteranit të luftës nga 170 në pragun minimal të përcaktuar nga shteti, e i cili vazhdon të mbetet i pandryshuar tash e sa vite.

Kjo do t'i kushtonte buxhetit hiç më pak se rreth 200 milionë euro shtesë.

Premtimet e Hotit, për rritjen e pagës minimale, investimi deri në 6 miliardë euro për 7 vitet e ardhshme, nuk po shihen si të mundura nga njohësit e ekonomisë në vend, por veçse premtime maksimaliste për të përfituar ndonjë votë shtesë.

Eksperti financiar, Florin Aliu, për Syri.net Kosova thotë se investimet ne nivelin e 6 miliardë eurove  janë thuajse plotësisht të pakuptimta sepse janë jashtë realitetit ekonomik.

Kjo për shkakun se sot po diskutohet se sa do të jetë rënia ekonomike për vitin 2020 dhe vitin 2021 dhe përkeqësim të të gjithë parametrave makroekonomike.

 

“Kriza e shkaktuar nga COVID-19 ka lënë pasoja ne ekonominë e Kosovës që do të vërehen edhe këtë vit. Sa i përket investimeve në nivelin e 6 miliardë eurove, janë thuajase plotësishtë të pakuptimta, sepse janë jashtë realitetit ekonomik. Ne sot po diskutojmë se sa do të jetë rënia ekonomike për vitin 2020 dhe vitin 2021. Në ndërkohë që me rënien ekonomike nënkupton rritjen e papunësisë, më pak taksa mblidhen, më pak të hyra për buxhetin e shtetit. Për më tepër, kjo rënie ekonomike do të ketë ndikim edhe në rritjen e borxhit publik. Pra po diskutojmë për përkeqësim të gjithë parametrave makroekonomike. Nëse Kosova do të ketë rritje ekonomike mund të diskutojme për vitin 2022, pasi që pandemia po shihet që do jetë në mesin tonë edhe gjatë vitit 2021”

Aliu vlerëson poasthu se rritja e pagës minimale nuk është politikë në funksion të rritjes ekonomike.

Në përgjithësi paga minimale ka kuptim në momentin kur ekonomia e Kosovës është e formalizuar. Ndërsa kur pothuajse 40% e ekonomisë së vendit është e paformalizuar rritja e pagës ka efekt të pergjysmuar. Prandaj konsideroj se paga minimale nuk ka të bëjë me politikat e zhvillimit ekonomik.

Për më tepër, eksperti financiar, thekson se është kundër rritjes së pagës minimale, me vet faktin që shumë studime tregojnë që shkakton rritjen e papunësisë.

“Prandaj ne duhet të mendojmë për reforma në funksion të rritjes ekonomike e jo vetëm folklore politike pa asnjë kuptim”.

Premtimet e LDK-së janë zëra të dëshpërimit.

Kështu vlerëson profesori i ekonomisë, Bashkim Nurboja.

Nurboja për Syri.net Kosova, thotë se këto premtime nuk kanë arsye ekonomike dhe nuk mund të arrihen.

Sipas tij, investimet kapitale  6 miliard euro të projektuara për 7 vjet janë kamuflim në numra dhe është e çuditshme se si një parti e djathtë projekton ngarkesë buxhetore, e cila mund të rritet vetëm me tatime dhe taksa shtesë.

“LDK duhet të mundohet të paraqes politika të cilat i takojnë ideologjisë së djathtë, të cilat duhet të jenë reale, e ndoshta populli i beson! Duke i shikuar sondazhet e ndryshme shumë parti e kanë kuptuar se ku do të gjinden, andaj do të shkojnë me premtime maksimaliste për të përfituar ndonjë votë shtesë, që të mbrohen nga zvogëlimi i elektoratit”

Ndërsa, sa i përket rritjes së pagës minimale, profesori thotë se është politikë e dëmshme.

 

Kjo pasi punëdhënësit nga kjo pritshmëri munden të fillojnëme rialokimin e fuqisë punëtore, duke i larguar nga puna apo duke i zhvendosur si punëtor të pa regjistruar.

“Premtimi i 300 euro si pagë minimale do ta dëmton edhe buxhetin për shkak të largimit të punëtorëve nga puna. Sektori privat në këtë kohë të pandemisë është në presion të paparë deri me tash, ky imponim i pagës minimale në këtë kohë është sadizëm ndaj sektorit privat. Bizneset të cilat paguajnë punëtorë deri në 250 euro në muaj, rritja prej 20% në koston e punës do ti fundos, marrë parasysh se qarkullimi nuk do të rritet me këtë normë”

Kujtojmë se nga Banka Qëndrore e Kosovës, parashikohet që rënia ekonomike  të jetë 7.2% që paraqet rënien më të madhe në 20 vjetët e fundit.

“Edhe në Kosovë masat e ndërmarra ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejt në ekonomi dhe sipas parashikimeve ekonomia e Kosovës pritet që të shënoj një rënie prej 7.2% që paraqet rënien më të madhe në 20 vitet e fundit”, ishte shprehur Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti në konferenën e fundvitit.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco