ATK-ja kërcënon bizneset: Mjerë ata që nuk iu kanë paguar asnjë cent në Trust punëtorëve

ATK-ja kërcënon bizneset: Mjerë ata që nuk iu kanë paguar asnjë cent në Trust punëtorëve

09:37, 16/12/2020

Nga e premtja e javës së kaluar, kur nisi aplikimi për tërheqjen e 10-përqindëshit të Trustit, punëtorët kanë filluar t’i raportojnë punëdhënësit për mospagesë të kontributeve pensionale. Vetëm për pesë ditë, afro 200 denoncime janë deponuar në Administratën Tatimore të Kosovës. Në mënyrë që punëtorët që nuk kanë Trust të paguar të mos diskriminohen nga tërheqja e 10-përqindëshit, ATK-ja i ka paralajmëruar kompanitë që ta kryejnë këtë obligim ligjor, në të kundërtën do të përballen me bllokim të llogarive e deri në konfiskim të pasurisë.

Në një deklaratë për media, nga ATK-ja kanë theksuar se ndërmarrjet do të detyrohen t’i paguajnë obligimet ndaj punëtorëve brenda afatit 4- mujor sa do të zgjasë aplikimi për tërheqjen e Trustit. Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, qytetarët që kanë kontribute në Fondin e Kursimeve Pensionale do të kenë mundësi të tërheqin 10-përqindëshin e tyre. Ndonëse përmes këtij ligji nuk është paraparë se si do të detyrohen kompanitë të paguajnë Trustin e punëtorëve, zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa, ka thënë se këtë do ta bëjnë në bazë të legjislacionit tatimor që është në fuqi për shlyerjen e borxheve. Derisa ka treguar procedurat detyruese që do të ndiqen, Bytyqi-Sefa ka theksuar se do të përdoren të gjitha mënyrat ligjore që të mos vihet deri tek ato masa.

 

“Ndaj secilit tatimpagues, i cili nuk i ka kryer obligimet tatimore, në këtë rast edhe deklarimet dhe pagesën e kontributeve pensionale, do të shkohet me bllokimin e llogarive bankare, konfiskimin e pasurisë dhe të ngjashme deri në kryerjen e obligimit të cilin e kanë të hapur në institucionin tonë”, ka thënë Bytyqi-Sefa.

Për raportimin e punëdhënësve që nuk kanë paguar Trust, ATK-ja ka vënë në dispozicion disa linja të saj përmes së cilave do të bëhet raportimi. Bytyqi-Sefa ka thënë se menjëherë pas thirrjes së ATK-së për raportim, për një kohë të shkurtër janë evidentuar një numër i madh i rasteve. Sipas saj, ky numër do të vazhdojë të rritet ditëve në vijim.

“Ne deri më tani, prej momentit kur edhe është fuqizuar ky ligj, kemi pasur raportime, denoncime të ndryshme nga ana e qytetarëve, numri i tyre është diku rreth 200”, ka theksuar ajo.

Por zëdhënësja e ATK-së nuk ka dhënë shifra për numrin e kompanive dhe ndërmarrjeve që janë në listën e mospaguesve të kontributeve pensionale. Ndër kompanitë që nuk kanë paguar Trust ka edhe ndërmarrje publike. Këtë çështje e ka ngritur deputeti i LDK-së, Ilir Tasholli, në një nga seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës, ku ka thënë se një ndër to është edhe ndërmarrja Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës (INFRAKOS).

“’Infrakosi’ nuk e ka bërë pagesën e Trustit për punëtorë për dy vjet, për dy vjet e gjashtë muaj më saktësisht”, kishte thënë Tasholli.

KOHA është përpjekur të kontaktojë me drejtorin e Financave të INFRAKOS-it, Zymer Zekaj, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco