Posta e Kosovës me 2 milionë euro borxhe, por ia rriti stafit rrogat

Posta e Kosovës me 2 milionë euro borxhe, por ia rriti stafit rrogat

18:56, 15/12/2020

Posta e Kosovës vlerësohet se është në gjendje të rëndë financiare, sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditorit për pasqyrat financiare të vitit të kaluar. Përveçqë nuk arrin t’i mbulojë shpenzimet e veta, ajo është futur edhe në borxh mbi dy milionë euro. 

Afro 75 për qind të të hyrave të kësaj ndërmarrje harxhohen në paga.

Pasqyrat vjetore financiare të Postës janë shqyrtuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Deputetët kërkuan përgjegjësi nga kryesuesi i Bordit të Postës, Leonard Shabanaj, dhe kryeshefi Xhevdet Smakiqi, të cilët thanë se prej që e kanë marrë detyrën kanë ndërmarrë disa veprime që do ta sanojnë gjendjen, porse kjo do të marrë kohë.

Sipas ZKA-së, pasqyrat financiare nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare të Postës së Kosovës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arta Bajralija, gjatë mbledhjes së Komisionit i prezantoi disa nga gjetjet, ku tha se për shlyerjen e obligimeve Ministria e Zhvillimit Ekonomik e kishte subvencionuar Postën në vlerë prej 720 mijë eurosh, porse këto mjete nuk u përdorën për qëllimin e destinuar.

Ajo ka përmendur edhe kategorinë më shpenzuese brenda Postës.

“Pagat e punëtorëve janë kategoria më shpenzuese e ndërmarrjes. Me 1022 punëtorë, ndërmarrja shpenzon hiç më pak se 9 milionë e 121 mijë e 891 euro apo, thënë ndryshe, 75 për qind e të hyrave shpenzohen vetëm për paga”, tha ajo.

E kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës, Leonard Shabanaj, i cili është emëruar përkohësisht dy muaj më parë, tha se kjo ndërmarrje publike përballet me borxhe të grumbulluara ndër vite ndaj ATK-së dhe operatorëve, dhe se kjo ishte toleruar nga ish-bordet e menaxhmentet.

“Jam përballur me pakënaqësi të trashëguara në të gjithë sektorët, gjendja e objekteve postare është e tmerrshme. Teknologjia informative është e stërvjetruar. Sportelet kanë nevojë për ndërhyrje urgjente, ku shërbimet jepen me vështirësi dhe vonesa që nuk përkojnë me kërkesat e klientëve. Problemet e menaxhimit të stafit, strukturave organizative, vija raportuese, diskriminimi dhe favorizimi nga ish-menaxhmentet kanë arritur kulmin e pakënaqësive”, ka thënë ai.

Ai ka pohuar se kanë kërkuar nga menaxhmenti që të merret me zbatimin e rekomandimeve që dalin nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

“Nga 25 rekomandime deri më tani janë zbatuar 11 prej tyre, kurse 14 rekomandime janë në proces të implementimit”, tha Shabanaj.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, foli rreth pronësisë së padefinuar të pasurive, ku tha se kanë ndërmarrë disa veprime dhe se për këtë kemi bërë edhe padi ndaj komunave që e kanë refuzuar bartjen e pronës. Ndër të tjera, ai ka folur edhe për borxhin që Telekomi ia ka Postës.

“Telekomi ia ka borxh Postës së Kosovës 1.9 milionë euro dhe tash ndërmarrjet publike nuk mund të shtyhen si ato private, të cilat po i bllokojnë llogaritë. Por, ne po duhet me e lut njëri-tjetrin”, ka thënë ai.

Kryetari i Komisionit parlamentar, Bedri Hamza, ka kërkuar që sa më shpejt Qeveria të emërojë bordin e drejtorëve që pastaj të bëhet emërimi i kryeshefit ekzekutiv.

Sipas tij, gjendja në këtë ndërmarrje nuk mund të ndryshojë nga mbajtja e pozitave me borde të përkohshme dhe me ushtrues detyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco