Këshilli i Investitorëve Evropian (KIE) organizoi një konferencë të nivelit të lartë për rastin e botimit të Librit të Bardhë 2020. Të pranishëm në takim ishin Shkëlqesia e Tij, Kryeministri i Kosovës Z. Avdullah Hoti, Shkëlqesia e Tij Ambasadori Tomáš Szunyog, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë / Përfaqësuesi Special i BE-së, Shefi i BERZH-it në Kosovë Z. Neil Taylor, si dhe pjesëmarrësit e tjerë.
Në fjalën e tij hyrëse, Nënkryetari i Bordit të KIE, z. Robert Wright, gjithashtu CEO i Raiffaisen Bank në Kosovë, vuri në dukje rëndësinë e botimit të Librit të Bardhë të dizajnuar për të përshkruar rekomandimet për përmirësimin e klimës së investimeve në Kosovë. Publikimi synon të kontribuojë në një dialog dhe partneritet të strukturuar dhe afatgjatë midis sektorit privat dhe Qeverisë së Kosovës.
Shkëlqesia e tij Ambasadori Tomáš Szunyog, Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë / Përfaqësuesi Special i BE-së si mysafir nderi në këtë ngjarje, përgëzoi KIE-në për punën e bërë me botimin e Librit të Bardhë 2020. Ai kujtoi se BE-ja është investitori më i madh dhe partneri ekonomik i Kosovës, kështu që përpjekja jonë kolektive duhet të jetë të mbështesim Kosovën në mundësimin e kushteve më të mira për të bërë biznes gjatë dhe pas pandemisë COVID-19.
Duke nënvizuar rëndësinë e investitorëve aktualë evropianë, Ambasadori Szunyog theksoi se është shumë e rëndësishme që Qeveria të kuptojë se cilat barriera biznesi ekzistojnë dhe se Qeveria duhet të punojë në eliminimin e tyre brenda një kohe të arsyeshme, duke pasur parasysh se investimet janë thelbësore në krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e jetës së njerëzve në Kosovë.
Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Z. Avdullah Hoti, përgëzoi KIE për botimin e Librit të Bardhë 2020 dhe deklaroi se Qeveria që ai drejton do të marrë shumë seriozisht gjetjet dhe rekomandimet e dhëna nga investitorët e huaj në vendin tonë. Kryeministri Hoti vuri në dukje se KIE po bëhet një zë i fuqishëm që përfaqëson interesat e investitorëve të huaj në vendin tonë.
Fjala më pas iu dha z. Neil Taylor, Shefi i BERZH-it në Kosovë. Ai deklaroi se BERZH mbetet një partner serioz dhe i përkushtuar së bashku me institucionet e Kosovës për të avancuar proceset që promovojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Emrush Ujkani pastaj vazhdoi me prezantimin e Librit të Bardhë 2020 dhe gjetjet kryesore që janë identifikuar, si dhe rekomandimet për institucionet përkatëse të Kosovës.
© SYRI.net