Nuk kalon buxheti për 2021, opozita kritikon shkurtimin e mjeteve për shëndetësi

Nuk kalon buxheti për 2021, opozita kritikon shkurtimin e mjeteve për shëndetësi

15:50, 18/11/2020

Në Komisionin për Buxhet dhe Transfere nuk ka pasur kuorum për ta votuar Projektbuxhetin 2021, derisa për shkak të mungesës së vendimmarrjes nuk është hedhur në votim as Projektligji për rimëkëmbje ekonomike që parasheh tërheqjen e dhjetë për qind të mjeteve të qytetarëve nga Trusti.

Gjatë raportimit në komision, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi tha se të hyrat buxhetore për vitin e ardhshëm pritet të jenë mbi 1 miliardë e 886 milionë euro ose 5.5 për qind më shumë se në vitin paraprak. Derisa sipas Krasniqit shpenzimet buxhetore për 2021 do të jenë 2 miliardë e 412 milionë euro.

Projektbuxheti mori kritika nga deputetët e opozitës sa i përket ndarjeve buxhetore, pasi sipas tyre, është shkurtuar buxheti për shëndetësi dhe është rritur buxheti për infrastrukturë, duke paralajmëruar kështu se nuk do t’i japin ‘dritë jeshile’ këtij buxheti.

Për shkak të efekteve negative të shkaktuara nga COVID-19 në ekonomi, zëvendësministri Krasniqi gjatë prezantimit të projektbuxhetit theksoi se rënia ekonomike për vitin 2020 parashihet të jetë 6.7 për qind, ndërsa në vitin 2021 pritet një rritje ekonomike 5.2 për qind.

“Shpenzimet për paga dhe shtesa planifikohen të jenë 625 milionë euro ose një rritje 0.7 për qind. Subvencionet dhe transferet në vitin 2021 pritet të kenë një rënie 5.2 për qind. Investimet kapitale do të kapin vlerën 613.5 milionë euro. Këtu janë përfshirë projekte që kanë qenë në vazhdimësi, si autostrada Prishtinë-Gjilan, rruga Komoran-Skënderaj, Prishtinë-Podujevë, autostrada Kijevë-Zahaq, autostrada Besi-Merdarë”, tha Krasniqi.

Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka kritikuar ndarjet buxhetore, veçanërisht shkurtimet buxhetore prej 25 milionë eurove për Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa 54 milionë euro më shumë për Ministrinë e Infrastrukturës.

“Në aspektin e zvogëlimit të buxhetit kemi një listë të ministrive, të cilave iu zvogëlohet buxheti përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë me 25.5 milionë euro më pak. Përfshirë edhe SSHKUK me 12.8 milionë euro më pak. Po ashtu, edhe në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit me 55.5 milionë euro më pak. Por kemi rritje te Ministria e Infrastrukturës me 53.9 milionë. Për qeverinë aktuale, pavarësisht pandemisë, buxheti i asfaltit nuk ndalet dhe vazhdon të rritet”, tha Kusari Lila.

Edhe deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza tha se sa i përket vlerësimeve për rritjen ekonomike, ajo do të jetë më e thellë se parashikimet prej 6.7 për qind. Sipas tij, ka dallime të mëdha projektbuxheti me programin e qeverisës.

“Nëse e shikojmë me kujdes programin e qeverisës dhe reflektimin e tij në buxhet shihet një diskrepancë totale. Në program është thënë se do të përkrahet shëndetësia me qindra miliona euro, është përmend fondi zhvillimor, fondi investiv, shërbimi ushtarak vullnetar. Pra, janë përmend shumë projekte, miliardësh në infrastrukturë dhe ndërtimit të stadiumeve. Këto nuk janë në buxhet. Unë e di që nuk jemi duke fol në një situatë normale për shkak të ndikimit të pandemisë, megjithatë ky program është aprovuar në kohën kur gjendja ka qenë e njohur”, theksoi Hamza.

Sa i përket ndarjeve buxhetore dhe kritikave nga opozita për shtimin e buxhetit për asfalt dhe zvogëlimin e mjeteve për shëndetësi, zëvendësministri Krasniqi tha se projektet në infrastrukturë janë vazhdimësi, dhe si të tilla ata janë të detyruar t’i realizojnë për të mos u ndëshkuar me penallti.

“Në momentin që po futen këto projekte, cilado qeveri që është, nuk ka mundësi t’i ndërrojë. Për shkak të ndryshimeve që kanë ndodhur sivjet në proces të buxhetit, ne paguajmë rreth 14 milionë euro penallti. Unë frikësohem se një pjesë e obligimeve për këtë viti do të barten për vitin e ardhshëm. Te shëndetësia, është ashtu siç e potencuat ju, por për tejkalimin e këtij problemi, ne kemi planifikuar që përmes Fondit për Rimëkëmbje t’i plotësojmë nevojat kryesore me 30 milionë, kështu që kompensohet ajo pjesë”, tha Krasniqi.

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Fatmir Rexhepi tha se parashikimet buxhetore dhe vlerësimet ekonomike pa mundësojnë matjet reale për shkak të pandemisë.

Ndonëse, theksoi se është turp për institucionet që nuk po arrijnë të miratojnë ligjet, siç është ai për rimëkëmbje ekonomike.

“Në i kemi dy kriza të veçanta në Kosovë: politike dhe ekonomike. Kriza politike është thelluar në ekstrem. Ne as sot nuk mundemi ta kalojmë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike. Jemi vonuar tre-katër muaj, nuk po them që jemi për ‘marre’, por si institucione po. Pra, nuk e kemi kaluar provimin dhe i kemi mbetur borxh ekonomisë dhe sektorit privat”, tha Rexhepi.

Kryetari i komisionit Hekuran Murati tha se përveç zvogëlimit të buxhetit për ministrinë e Shëndetësisë dhe Arsimit, janë ndarë mjete për Ministrinë e Financave pa pasur destinim të mjeteve. Për këtë ai, ka kërkuar që të rregullohet edhe një herë projektbuxheti në qeveri dhe të mos shqyrtohet në parim.

“Ka pasur kohë të mjaftueshme për përgatitjen e projektbuxhetit. Kuvendi nuk duhet të pranojë projektligje të tilla kur nuk përcaktohet destinimi se ku do të shkojnë paratë. Mendoj, se nuk duhet ta shqyrtojmë në lexim të parë si të tillë, pasi që nuk mund të rregullohet”, tha Murati.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi ka thënë se buxheti stabil për vitin 2021 do të varet shumë edhe nga miratimi i Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike. Sipas tij, nëse nuk ndodh shpejt miratimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, do të ketë pasoja të mëdha në sektorin privat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco