Dështimi skandaloz me Trepçën, 175 milionë 'infuzion' kot nga shteti, 8 milionë euro borxh

Dështimi skandaloz me Trepçën, 175 milionë 'infuzion' kot nga shteti, 8 milionë euro borxh

14:00, 18/11/2020 Nga Dardan Gashi

Të gjitha mineralet që nxirren nga “Trepca”, shiten tek shtetet tjera. Askush nuk e di çmimin dhe sasinë që shitet, derisa minatorët vazhdimisht gërmojnë në të. As paratë e shitjeve nuk raportohen. E vazhdimisht kërkohet ndihmë me pretekstin se po punohet në humbje. Nuk dihet asgjë, se çka bëhet në nëntokën e kësaj ndërmarrjeje.

 

Dikur punësonte gati gjysmën e Kosovës, ndërsa, tani po lufton për mbijetesë.

Fjala është për gjigandin metalurgjik “Trepça”, i cili në vazhdimësi që nga paslufta po përballet me vështirësi të mëdha financiare, mungesë investimesh e mungesë të madhe transparente.

Por, duke mos mjaftuar këto probleme, ndërvite u raportuan raste ku minatorët humbën jetën, si pasojë e mungesës së sigurisë në punë.

Një rast i tillë ndodhi dy muaj më parë, ku një minator në Minierën e Trepçës-njësia në Leposaviq, fillimisht e humbi krahun në njësinë përpunuese-flotacion, pastaj ndërroi jetë në spital.

Se “Trepça” po vazhdon të jetë barrë për buxhetin e shtetit, e konfirmon edhe vendimi i Qeverisë për të ndarë 1.1 milionë euro, për këtë ndërmarrje, pas ankesave se e njejta po punon me humbje.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ditë më parë është  takuar me bordin e përkohshëm të ndërmarrjes “Trepça”, për të gjetur zgjedhje se si të përballohet gjendja në të cilën gjendet kjo ndërmarrje.

Hoti tha se kësaj ndërmarrjeje do t’i ndahen 1.1 milion euro, për ta tejkaluar situatën nëpër të cilën gjenden, pas borxheve të mëdha që kjo kompani ka.

Se ndihmat që po ndahen nga Qeveria e Kosovës nuk po kanë efekt, e tregon fakti se që nga paslufta, edhe pse u ndanë qindra miliona euro, situata në Trepçë veçse është përkeqësuar.

Lidhur me shumën e saktë të cilën e kanë ndarë Qeveritë për këtë ndërmarrje që nga paslufta, Syri.net Kosova ka pyetur Ministrinë e Financave, mirëpo, e njëjta tash e sa ditë nuk ka kthyer përgjigje.

Por, burime të Syri.net Kosova, nga ish-Bordi i mbikëqyrës i ndërmarrjes  ‘Trepça, i cili u shkarkua nga Qeveria Kurti, marrin vesh se shuma e ndarë nga Qeveritë e deritanishme, që nga paslufta, kapin shifrën e 175 milionë eurove, kurse, borxhi aktual që e ka Trepça arrin në 8 milionë euro.

Ani se dikur ishte një nga ndërmarrjet kryesore të ekonomisë në ish Jugosllavi, për të 'Trepçën' nuk ka ndonjë të dhënë se sa fitime gjeneron nga shitja/përpunimi i mineraleve që nga paslufta.

Profesori Bashkim Nurboja, për Syri.net Kosova, thotë se Trepça si të gjitha ndërmarrjet tjera publike është menaxhuar shumë keq dhe është keqpërdorur me resurset e saj.

Derisa secili menaxhment ka përformuar dobët dhe kohë pas kohe nuk kanë qenë në gjendje me i paguar pagat e punëtorëve, kjo tregon që ndihmën shtetërore e kanë përdorur në shumtën e rasteve për pagat e punëtorëve, e rrallë herë për ndonjë investim kapital. Asnjëherë nuk është bërë një plan biznesit i detajuar, ku mendohet për të gjitha minierat, flotacionet, për shitjen e mineraleve dhe për burimet financiare të qëndrueshme.

Për të e nxjerr “Trepçën” nga kjo situatë, Nurboja thekson se për këtë ndërmarrje  duhet të bëhet një biznes plan i detajuar, sidomos në procesin e rritjeve të kapacitetit dhe përmirësimin e teknologjisë, pastaj të shikohet në burimet e financimit.

“Nuk mendoj që Trepça duhet të privatizohet, sidomos në fillim ku është shumë e nënvlerësuar nga tregu. Trepça duhet të fillojë të përdorë për investimet e mëdha, instrumentet e borxhit me një garancion nga shteti për të ulur koston e financimit. Por, para së gjithash duhet të krijohet indikatorët kyç të përformancës të cilët në çdo kohë na tregojnë se si po përformon Trepça. Menaxhmenti i lartë duhet të zgjedhet me kujdes apo edhe të kontraktohet ndonjë firmë për menaxhment, e cila do ti ketë të bashkërenduara shpërblimet me sukseset e ndërmarrjes”

Ai vlerëson se që pas pavarësisë së Kosovës, Trepça është përdorur më shumë si objekt politik, sesa ekonomik, nga qeveria e Kosovës, megjithëse keqpërdorimi i aseteve dhe pasurisë ka ndodh në vazhdimësi.

“Pas luftës së vitit 1999, Trepça nuk ka qenë në gjendje shumë të mirë, sepse procesi i prodhimit ka qenë i vjetruar dhe i amortizuar. Megjithatë, Trepça ka pasur potencial dhe ende ka. Nga koha e UNMIK-ut Trepça është trajtuar më shumë si objekt politik sesa ekonomik, sepse apetitet e qeveris së Serbisë për Trepçën kanë qenë të larta, ende edhe sot janë. Edhe. E kjo, ka quar në degradimin e kësaj ndërmarrje, që për mendimin tim, nëse rivitalizohet dhe funksionon në mënyrë optimale mund ti kontribuojë zhvillimit ekonomik të vendit. Është koha e fundit që të ndermirën hapa për të përmirësuar ndërmarrjen e Trepçës, edhe nëse subvencionohet nga qeveria duhet me u bë më një plan që  garanton sukses, që kjo ndërmarrje mos të jetë barrë e shoqërisë në vazhdimësi”.

Ndërsa, njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, për Syri.net Kosova thotë se pjesa dërmuese e ndërmarrjeve publike janë barrë e shtetit, kurse, e vlerëson se është vërtet e pakuptimtë ajo që është duke ndodhur me Trepçën.

Definitivisht fajin për një situatë të tille nuk e kanë minatorët të cilët me djersën e tyre kontribuojnë ta ruajnë Trepçën.

Është e pajustifikueshme, investimi qindra milionëve në rimëkëmbjen dhe në mirëmbajte dhe të mos ketë efekte pozitive në interes të shtetit e komunitetit.Definitivisht një gjigand I tillë i cili ka qenë brend në të kaluarën, dhe duhet të jetë vulë e zhvillimit ekonomik edhe sot,nuk e meriton një gjendje të tillë skamnore, nuk e meriton humbjen e dinjitetit të të punësuarve, dhe e tëra kjo është vërtet një dëshmi, se sa është në Kosovë e shprehur mungesa e përgjegjësisë dhe mungesa e transparencës, llogaridhënies, dhe e tëra kjo ndikon në mjerimin ekonomik që është katandisur Kosova këto ditë. Në qoftë se një miniere e cila është thesar i arit, argjendit, plumbit nuk paska garancë e zhvillimit dhe e stabilitetit, atëherë çka duhet të bëhet që Kosova të gjeneroj një burim nga resurset natyrore që të jetë indikator i stabilitetit.

Ai vlerëson se derisa mungon transparenca, llogaridhënia dhe derisa ka politizim, nuk duhet habitur që në të ardhmen do të kemi dukuri të tilla.

Si mund të paguajnë qindra miliona, si në Telekom, Trepcë dhe te mos ketë llogaridhënie, kjo është vertet diçka që duhet të hulumtohet në të ardhmen, askush nuk bjen ndonjë vendim dhe nuk keqpërdor pa nenshkrim të dikujt, dhe kujt është ai që jep nënshkrime për të ndodh kjo që po ndodh, dhe vërtet është koha kur për ekonomi të bëhet më tepër. Por nuk mund të ketë Kosova prespektivë ekonomike dhe stabilitet social, në qoftë se nuk do të ketë trend të ngritjes,  ku nga sundimi I rendit dhe ligjit të rritet llogaridhënia qoftë individuale, institucionale dhe vërtet të mos derdhen miliona të qyetarëve në këtë kohë pandemie, por edhe para kësaj kohe në interes të personave të caktuar të interesit, grupeve kriminale, interes të kalkulimeve të votave politike.

 

 

Ndryshe, më parë u raportua se gurë të Trepçës kanë filluar të shiten në tregun e zi në internet, ku çmimi i tyre sillet nga 50 deri në gati 600 dollarë.

Madje për secilin prej tyre janë të shkruara edhe specifikat.

Nuk mungojnë as kristalet që nxirren nga pjesa veriore e Mitrovicës.

Ish-drejtori i Bordit të Trepçës, Ardian Syla, kishte thënë se punëtorët e kësaj ndërmarrje, keqpërodrin vendin e tyre të punës dhe nxjerrin jashtë saj gurët ose kristalet.

“Kjo çështje ka ndodhur për shkak që kemi qenë në periudhë të tranzicionit dhe nuk kemi mundur që ta rregullojmë këtë përmes rregulloreve.. Ka pasur raste që kanë edhe të ndaluar edhe deri në shqiptimin e masave, por tash për shkak të periudhës së tranzicionit dhe bordit në  mungesë kemi pasë probleme në këtë aspekte” kishte thënë Syla muaj më parë

Kombinati metalurgjik "Trepça", gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

Përveç aseteve në Kosovë, dhjetëra prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera. “Trepça” ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco