Prokurorisë i kërkohet të hetojë licencimin e 'Kelkosit'

Prokurorisë i kërkohet të hetojë licencimin e 'Kelkosit'

08:10, 13/11/2020

Një orë pasi ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka deklaruar se kompania “Kelkos” nuk i ka plotësuar kriteret për t’u pajisur me leje mjedisore, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) së njëjtës kompani i ka dhënë leje për prodhim të energjisë për 40 vjet në dy hidrocentrale, “Deçani” dhe “Belaja”. Kjo, sipas ZRRE-së, është bërë pasi kompania ka sjellë lejen mjedisore të marrë nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit me kohëzgjatje 5- vjeçare. Dokumentacioni është dorëzuar vetëm dy ditë më parë në ZRRE nga ana e “Kelkosit” dhe është futur menjëherë në rend të ditës së Bordit të ZRRE-së.

Përfaqësuesi ligjor i ZRRE-së, Afrim Ajvazi,  ka thënë se me sjelljen e lejes mjedisore janë plotësuar kushtet, andaj kanë propozuar që të lëshohet licenca afatgjate për operim për hidrocentralin “Deçani”.

“Kjo është një specifikë që është ngritur që disa vjet që legjislacioni nuk është i harmonizuar... Nuk është vetëm leja mjedisore që është 5- vjeçare. Kontrata e përdorimit të pyllit është 5-vjeçare dhe leja ujore është 20-vjeçare”, ka theksuar ai.

 

Sipas tij, me ligjin për ZRRE-në, licenca për gjenerator lëshohet referuar aseteve të ndërmarrjeve.

“Bile po e citoj ligjin: ‘Varësisht nga jetëgjatësia e aseteve të përdorura në kryerjen e aktivitetit relevant në kohëzgjatje që nuk mund të kalojë kohëzgjatje 40-vjeçare”.

Meqë, sipas tij, pajisjet janë të reja, është propozuar të lëshohet licenca në kohëzgjatje maksimale.   

“Ne kemi thënë që obligohet ndërmarrja të sjellë dokumente të cilat mund të kenë ndikim në validitetin dhe periudhën e vlefshmërisë së licencës. Ia kemi bërë me dije që nëse i kalon, ne si ZRRE duhet të ndërmarrim masa. Fatkeqësisht ka mosharmonizim në mes të afateve që siguron ky investitor”, ka theksuar ai.

Kryesuesi i Bordit, Arsim Janova, ka thënë se leja mjedisore për këto dy hidrocentrale duhet të ripërtërihet në afat prej 5 vjetësh aq sa ka kohëzgjatje leja mjedisore e marrë nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

“Është e qartësuar se nëse nuk e përtërin lejen mjedisore për pesë vjet, atëherë duhet t’i ndërpritet operimi”, ka theksuar ai. Vendimi për licencim është përkrahur nga tre anëtarë, ndërsa një anëtar ishte kundër.

E njëjta zyrë një muaj më parë kishte ndalur operimin në tri hidrocentralet e “Kelkosit”, pasi nuk kishte leje mjedisore. Ndërsa dy javë më parë, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit kishte thënë për KOHËN se kompanisë “Kelkos” nuk i ishte dhënë leje mjedisore, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me leje ujore për shfrytëzim të ujit dhe mungon leja ujore e përdorimit. Ministria nuk ka treguar gjatë ditës se cilat dokumente janë plotësuar nga “Kelkos” gjatë këtyre dy jave që kjo kompani të pajiset me leje mjedisore. 

Ministria arsyeton vendimin – opozita e quan krim të organizuar

Ndërkohë, në një sqarim për media ministria ka arsyetuar deklaratën e ministrit Kuçi që mohoi se Kelkos ka leje mjedisore. Në sqarim thotë se kompania ka bashkangjitur lejet e përdorimit për hidrocentralet “Deçani”, certifikatën e legalizimit për ndërtimin e tubacionit, veprës së marrjes dhe kabllove elektrike dhe lejen ujore për dy hidrocentralet “Belaja” dhe “Deçani”. 

“Për Hidrocentralet HC ‘Belaja’ dhe HC ‘Deçani’, kompania ka arritur të sjellë të gjithë dokumentacionin që kërkohet në përputhje me Udhëzimin Administrativ për Leje Mjedisore 07/2017, ndërsa sa i përket HC- ‘Lumëbardhi II’, kompania nuk ka arritur t’i përmbushë kriteret sipas Udhëzimit Administrativ për Leje Mjedisore 07/2017, për arsye se nuk ka arritur të pajiset me Lejet e shfrytëzimit të ujit dhe Lejet përdorimit të ujit”, thuhet në sqarimin e Ministrisë.

Përkundër dëmeve të shumta që janë shkaktuar në atë pjesë, MEA-ja thotë se Komisioni për leje mjedisore ka konstatuar së është bërë rehabilitimi i zonës ku janë zhvilluar punimet të HC “Belaja” dhe HC “Deçani”, ndërsa të HC “Lumëbardhi II” nuk është bërë rehabilitimi i zonës ku janë zhvilluar punime.

Shoqëria civile dhe deputetë të opozitës kanë shprehur dyshimet për shkelje ligjore gjatë lëshimit të licencave. Kanë paralajmëruar se e gjithë dosja do të dërgohet menjëherë në prokurori bashkë me emrat e të gjithë zyrtarëve që nënshkruan lejen mjedisore.

Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, i cili është anëtar i Komisionit hetimor për licencimin e hidrocentraleve, ka reaguar ashpër duke ngritur edhe dyshimet për “krim të organizuar”.

“Sa thellë i ka lëshuar rrënjët krimi i organizuar brenda institucioneve të vendit! Në kushte kur Kuvendi i Kosovës ka formuar Komision hetimor për çështjen e hidrocentraleve, vazhdon i papenguar procesi i licencimit të tyre mbi baza të dyshimta ligjore”, ka thënë ai.

Sipas tij, në Komision hetimor deputetët e pozitës dhe disa të opozitës sabotojnë kërkesën e drejtë për ndërprerjen e përkohshme të dhënies së lejeve dhe licencave deri në përfundimin e punës së Komisionit hetimor. Ai ka thënë se po shpiken rregulla fiktive që u mbivendosen dispozitave ligjore vetëm për të dhënë licenca.

“Ministria lëshon leje mjedisore pa plotësim të kritereve, kurse ministri Kuqi gënjen haptas se nuk e ka bërë një gjë të tillë. Krejt kjo bëhet derisa pasuria natyrore e Kosovës dëmtohet egërsisht dhe pa kthim në emër të profitit privat. Rast për burg!”, ka shkruar Abrashi.

Edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se përkundër faktit që “Kelkos” nuk ka përmbushur kriteret për leje mjedisore për operim në bjeshkët e Deçanit, dhe kundërshtimeve nga komuna dhe qytetarët, MEA-ja ka lëshuar leje mjedisore.

“Ligjet nuk zbatohen nga Ministria e thirrur për të mbrojtur mjedisin dhe legalizohen nga Agjencia e cila i raporton Kuvendit”, ka thënë ajo, duke i kërkuar ministrit Kuçi që të publikojë bazën ligjore dhe opinionin ligjor për ndarjen e HC “Belaja” dhe HC “Deçani”.

“Si u sigurua Ministria e Ambientit që kaptazhat e ujit përgjatë Grykës së Deçanit dhe afër hidrocentralit ‘Belaje’ dhe ‘Deçan’ janë kthyer në gjendjen e mëparshme? Kush ka dalë në terren? Çfarë raporti kanë përgatitur dhe kush i ka nënshkruar raportet?”, ka pyetur ajo.

Ajo ka thënë se e gjithë dosja do të dërgohet menjëherë në prokurori bashkë me emrat e të gjithë zyrtarëve që nënshkruan lejen mjedisore.

Grupi parlamentar i Vetëvendosjes ka kërkuar interpelancë për Blerim Kuçin lidhur me dhënien e licencave afatgjate (40 vjet) për prodhim të energjisë elektrike të ndërmarrjes “Kelkos”, për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”. Ka propozuar edhe një rezolutë, përmes së cilës kërkohet anulimi i menjëhershëm i vendimit të ZRRE-së për lëshim të licencës afatgjate për prodhimin e energjisë, njëkohësisht edhe anulim të vendimeve të MEA-së për dhënie të lejeve mjedisore dhe ujore për këtë kompani.

“Me vendime për dhënie të lejes për operim për dyzet vjet është goditur rëndë mjedisi, në zonën e Grykës së Deçanit dhe burimet e ujit, por edhe buxhetin e shtetit”, thuhet në arsyetimin e kërkesës. 

“Kelkos” premton liqen turistik – shoqëria civile premton padi

Por vendimeve të fundit të institucioneve u është gëzuar kompania “Kelkos”. Ajo përmes një njoftimi ka thënë se 30 mijë shtëpi më shumë do të pranojnë energji të gjelbër për dekadat në vijim nga dy hidrocentralet.

“Procesi i lejes për stazën e tretë hidrogjeneruese Lumbardhi II është në fazën finale. Në kontekstin e Lejes Mjedisore, KelKos Energy ka aplikuar po ashtu për një projekt të avancuar të rehabilitimit nëpërmjet ndërtimit të liqenit turistik në Zalli Rupe, që nuk përdoret për prodhimin e energjisë elektrike. Do të shërbejë vetëm si vend rekreativ për qytetarët e Deçanit gjatë sezonit të verës”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, organizata “Pishtarët” ka shprehur dyshimet për lëshimin e lejes mjedisore të ndara për dy hidrocentralet e “Kelkosit”.

“Lëshimi i lejeve të ndara për secilin hidrocentral është shkelje e rëndë ligjore, pasi këto hidrocentrale që nga faza aplikuese janë paraqitur si një kaskadë dhe ndikimi i tyre në mjedis është vlerësuar si një. Prandaj edhe kanë vetëm një pëlqim mjedisor”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Kjo organizatë ka shpalosur shkresat nga kompania e ujësjellësit rajonal “Hidrodrini”, që deklarojnë se as rehabilitimet bazike nuk janë bërë nga “Kelkos”, pra burimet dhe kaptazhat e ujit që janë dëmtuar nga “Kelkos” nuk janë kthyer në gjendjen e mëparshme. Kjo organizatë, që nuk është e vetmja që ka reaguar, ka paralajmëruar përgatitjen e procedurave për padi.

Organizatat e koalicionit “Pro open” ka kërkuar nga MEA-ja që të publikohen të gjitha lejet mjedisore të lëshuara dhe të bëhet transparent i gjithë procesi i pajisjes me leje mjedisore të kompanisë “Kelkos”.

“Shteti i Kosovës ka dëshmuar së është i paaftë për të ofruar transparencë dhe llogaridhënie për publikun në lidhje me këtë problematikë dhe këto sjellje përbëjnë dyshim të bazuar se institucionet relevante, në veçanti Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, kanë shkelur autorizimet e tyre ligjore dhe u shërbejnë grupeve të ngushta të interesit, duke dëmtuar resurset natyrore të Kosovës dhe potencialin turistik dhe zhvillimor”, thuhet në reagim.

Sipas “Pro open” po ndërtohen hidrocentrale të vogla, në hapësirat e parqeve kombëtare dhe zona turistike me potencial zhvillimor, që shkatërrojnë florën dhe faunën, devijojnë lumenjtë, reduktojnë dhe rrezikojnë furnizimin e popullatës me ujë, dhe shumë dëme të tjera. 

Organizatat përkrahëse janë Iniciativa për Progres (INPO), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), Demokraci Plus (D+), “Çohu”, “FOL”, Instituti Riinvest, “Ec Ma Ndryshe”, Environmentally Responsible Group (ERA), OJQ Gjethi Kosovo Advocacy and Development Center (KADC).

“Kelkos”, pavarësisht dëmeve nga Qeveria e Kosovës vetëm gjatë vitit 2018 për këto dy hidrocentrale ishte subvencionuar për prodhim të energjisë së ripërtritshme me rreth 3.8 milionë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco