Gjermania drejt pensionit në moshën 70-vjeçare, Merz: Reforma për të shpëtuar sistemin

Gjermania drejt pensionit në moshën 70-vjeçare, Merz: Reforma për të shpëtuar sistemin

17:38, 24/06/2026

 

Gjermania po përgatitet për një reformë të thellë të sistemit të pensioneve, e cila parashikon rritjen graduale të moshës së pensionit deri në rreth 70 vjeç në fillim të viteve 2090. Propozimi vjen nga një komision ekspertësh i mbështetur nga kancelari Friedrich Merz, me synimin për të garantuar qëndrueshmërinë e sistemit përballë plakjes së shpejtë të popullsisë.

Duke prezantuar rekomandimet, Merz deklaroi se qytetarët nuk duhet të shqetësohen, pasi masat synojnë të shmangin kolapsin e skemës së pensioneve dhe të forcojnë solidaritetin ndërbrezor. Sipas tij, reformat do të lehtësojnë barrën financiare për brezat e rinj dhe do të sigurojnë stabilitet afatgjatë.

Paketa me 33 masa përfshin lidhjen e moshës së pensionit me rritjen e jetëgjatësisë, heqjen graduale të pensionimit të parakohshëm dhe investimin e kontributeve të detyrueshme në tregjet e kapitalit për të rritur vlerën e fondit të pensioneve. Gjithashtu, propozohet që në sistem të përfshihen edhe nëpunësit civilë dhe të vetëpunësuarit.

Aktualisht, mosha ligjore e pensionit në Gjermani është 67 vjeç për ata që dalin në pension në fillim të viteve 2030. Sipas ekspertëve, kjo moshë duhet të rritet gradualisht në përputhje me jetëgjatësinë, duke arritur në rreth 70 vjeç për brezat e ardhshëm.

Megjithatë, reformat kanë hasur kundërshtime nga sindikatat dhe një pjesë e Social Demokratëve. Kritikët kundërshtojnë veçanërisht heqjen e së drejtës për pension pa penalizim në moshën 63-vjeçare për personat me 45 vite pune, duke argumentuar se kjo do të dëmtonte punonjësit në profesione të rënda fizike.

Pavarësisht kritikave, Merz këmbëngul se paketa duhet të miratohet në tërësi dhe sa më shpejt. “Dështimi nuk është një opsion”, deklaroi ai.

Gjermania përballet me një nga proceset më të shpejta të plakjes së popullsisë në botë. Sipas të dhënave të vitit 2024, rreth 23 për qind e popullsisë, ose 19 milionë qytetarë, janë mbi 65 vjeç. Në këtë sfond, qeveria synon të miratojë reformat para pushimeve verore të parlamentit.

Ironikisht, sistemi gjerman i pensioneve, i krijuar nga Otto von Bismarck në vitin 1889, kishte vendosur fillimisht moshën e pensionit pikërisht në 70 vjeç  një kufi që tani mund të rikthehet më shumë se një shekull më vonë.  

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco