BBC: Gruaja franceze e mbajtur peng nga burri i saj për 12 vjet, shpëtohet në Pakistan

BBC: Gruaja franceze e mbajtur peng nga burri i saj për 12 vjet, shpëtohet në Pakistan

15:07, 24/06/2026

Policia në Pakistan ka arrestuar një burrë i cili dyshohet se ka mbajtur gruan dhe fëmijët e tij robër në shtëpinë familjare për më shumë se një dekadë dhe ka abuzuar me ta, shkruan BBC.

Gruaja e tij, shtetasja franceze Sylvie Jasmina, pretendon se burri abuzonte fizikisht dhe mendërisht me anëtarët e familjes çdo ditë dhe e përshkroi atë si "shumë të dhunshëm", raporton BBC , duke cituar policinë lokale.

Njëri nga djemtë e tyre arriti të dilte fshehurazi nga shtëpia dhe ta raportonte çështjen në polici, gjë që çoi në një kontroll të shtëpisë së tyre në Bari, një vend i largët në provincën malore të Khyber Pakhtunkhwa.

Oficerët e policisë gjetën Jasminën dhe pesë fëmijët e saj në një dhomë të ngushtë dhe "jashtëzakonisht të lënë pas dore", me mavijosje në të gjithë trupin.

Jasmina dhe fëmijët e saj u transferuan në një strehë për gra në Peshawar. Sipas policisë, ato planifikojnë të kthehen në Francë.

Sipas 54-vjeçares Jasmine, burri i saj "praktikisht e ka mbajtur familjen rob" që kur ata u zhvendosën në Pakistan nga Australia në vitin 2014.

"Sipas gruas, asaj nuk i lejohej të takonte askënd. Dy fëmijët e tyre më të mëdhenj e lanë shkollën, ndërsa tre më të vegjlit kishin lindur në Pakistan dhe nuk u regjistruan kurrë në shkollë", tha një zyrtar i lartë i policisë për BBC Urdu.

Autoritetet nuk e kanë bërë të ditur identitetin e bashkëshortit të Jasmine-s, një shtetas pakistanez, i cili sipas tyre "qëndronte ilegalisht" në Australi kur u takuan.

Çifti u martua në vitin 2003 dhe jetoi në Australi deri në vitin 2014, kur u zhvendosën në Pakistan me dy fëmijët e tyre më të mëdhenj. Jasmina pohon se që atëherë nuk ka pasur kontakt me botën e jashtme.

"Na u privua nga liria. Im shoq nuk u kujdes për ne ashtu siç duhet të kujdeset një bashkëshort dhe baba i fëmijëve të mi. Ai na rrihte çdo ditë dhe na kërcënonte me jetë", shkroi Jasmina në një deklaratë për policinë, pjesë të së cilës u raportuan nga mediat lokale.

"Ndjeva se e ardhmja ime ishte shkatërruar tashmë dhe se e ardhmja e fëmijëve të mi do të shkatërrohej gjithashtu."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco