Franca gjobit Shein me 40 milionë euro për praktika mashtruese tregtare

Franca gjobit Shein me 40 milionë euro për praktika mashtruese tregtare

22:12, 04/07/2025

Autoritetet franceze kanë vendosur një gjobë prej 40 milionë eurosh ndaj gjigantit kinez të modës së shpejtë Shein, pas një hetimi njëvjeçar që zbuloi se kompania ka praktikuar mashtrime tregtare në kurriz të konsumatorëve.

Sipas Drejtorisë për Konkurrencën, Çështjet e Konsumatorit dhe Parandalimin e Mashtrimit (DGCCRF), hetimi zbuloi se Shein i ka dhënë klientëve një imazh të rremë të ofertave, me 57% të produkteve të listuara si “në ulje” që në fakt nuk kishin fare zbritje, 19% kishin një zbritje të lehtë, ndërsa 11% kishin çmime më të larta se më parë.

Shein, me seli në Kinë dhe në pronësi të kompanisë Infinite Styles Ecommerce Limited, e ka pranuar gjobën dhe ka konfirmuar vendimin e autoriteteve. DGCCRF theksoi se praktikat e kompanisë, si çmimet e kryqëzuara dhe promovimet e vazhdueshme, mashtronin konsumatorët duke i bërë të besonin se po përfitonin oferta të jashtëzakonshme, ndërkohë që në realitet nuk kishte ulje reale. Rregullorja franceze përcakton që çmimi me zbritje duhet të krahasohet me çmimin më të ulët të produktit gjatë 30 ditëve të fundit.

Përveç mashtrimit me çmimet, autoritetet franceze akuzuan Shein edhe për pretendime të pabazuara mbi angazhimet mjedisore. Kompania e ka paraqitur veten si një markë “përgjegjëse” që synon të ulë emetimet e gazrave serrë me 25%, por hetimi zbuloi se kjo bie ndesh me vetë modelin e saj të biznesit, që mbështetet në prodhim masiv dhe çmime të ulëta, një praktikë me ndikim të lartë në ndotjen globale.

Kjo goditje nga Franca pason një vendim të ngjashëm të Komisionit Evropian në maj, ku Shein u shpall fajtore për praktika të paligjshme tregtare në të gjithë Bashkimin Evropian. Ndërkohë, në janar 2025, kompania u përball me kritika të ashpra edhe në Mbretërinë e Bashkuar, pasi refuzoi të sigurojë se nuk përdorte pambuk nga rajoni kinez i Xinjiang, i lidhur me punën e detyruar të ujgurëve.

Shein, e cila ka qenë në qendër të akuzave për shkelje të të drejtave të punonjësve, u përball gjithashtu me një raport të organizatës zvicerane Public Eye në vitin 2024, që zbuloi se punëtorët e saj ende punonin 75 orë në javë, pavarësisht premtimeve për përmirësime. Ky është një tjetër episod në një sërë kritikash ndaj kompanisë, e cila ndodhet gjithnjë e më shumë nën vëzhgimin e rreptë të autoriteteve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare për standardet e punës dhe etikën tregtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco