Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje tregtare me Indinë mund të jetë shumë pranë finalizimit, e cila do të ndihmonte kompanitë amerikane të konkurrojnë në tregun e Azisë Jugore dhe do t’i jepte Indisë përfitime nga tarifat shumë më të ulëta.
Në një prononcim për gazetarët në bordin e Air Force One, Trump u shpreh optimist se India është gati të ulë barrierat për produktet amerikane dhe se një marrëveshje mund të anulonte normën prej 26% që ai kishte paralajmëruar më 2 prill, përpara se ta pezullonte përkohësisht deri më 9 korrik.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, konfirmoi për Fox News se dy vendet po i afrohen një marrëveshjeje që do të ulte tarifat për mallrat amerikane në Indi dhe do të ndihmonte këtë të fundit të shmangte rritjen e re të tarifave pas afatit të 9 korrikut. Ndërkohë, zyrtarë indianë kanë qëndruar në Uashington deri të hënën në përpjekje për të përmbyllur një marrëveshje dhe për të adresuar shqetësimet e palëve për tarifat në pjesët e automobilave, çelik dhe produkte bujqësore.
Nga ana tjetër, Trump shfaqi skepticizëm për një marrëveshje të mundshme me Japoninë, duke lënë të kuptohet se nuk do të zgjasë afatin për tarifat që skadon më 9 korrik dhe madje paralajmëroi tarifa shumë më të larta për këtë vend. Ai sugjeroi se mund të vendosë një tarifë prej 30% apo 35% për importet japoneze, përfshirë automjetet, duke kritikuar Tokion për refuzimin e importit të orizit amerikan ndërkohë që eksporton miliona makina në SHBA.
Trump nënvizoi se qëllimi i tij është të sigurojë marrëveshje tregtare të favorshme për SHBA-në me vende të ndryshme, përpara përfundimit të afatit të tarifave, dhe bëri të ditur se administrata e tij i jep përparësi Indisë përpara Japonisë në këtë proces. Deri më tani, vetëm Britania ka arritur një marrëveshje të kufizuar me SHBA-në, duke pranuar një tarifë 10% për shumë produkte në këmbim të aksesit të veçantë për motorët e avionëve dhe mishin britanik të viçit./ Reuters - Syri.net
© SYRI.net