Vala e të nxehtit në Itali/ Viktima të reja, ndërprerje e energjisë për shkak të kondicionerit të tepërt

Vala e të nxehtit në Itali/ Viktima të reja, ndërprerje e energjisë për shkak të kondicionerit të tepërt

22:47, 01/07/2025

Italia Qendrore dhe Jugore po vazhdojnë të goditen nga një valë e nxehtësisë së fortë, ku dje shkaktoi vdekjen e një punëtori ndërtimi 47-vjeçar në Bolonjë.

Këtë pasdite, dy punëtorë që po riparonin një rrugë jashtë qytetit të Viçencës humbën ndjenjat për shkak të nxehtësisë.

Ata u dërguan në spitalin më të afërt, ku njëri prej tyre u intubua dhe ndodhet në gjendje kome. Pak më parë, një grua e moshuar me probleme të zemrës vdiq nga një atak në zemër gjatë ecjes në rrugë në Palermo të Siçilisë.

Në Firence dhe Bergamo janë regjistruar ndërprerje energjie për shkak të përdorimit të shtuar të ajrit të kondicionuar në biznese, shërbime publike dhe banesa private.

Në rajonin e Piemontes, me kryeqytet Torinon, si dhe në Lombardi, është ndaluar puna në hapësira të hapura gjatë orarit 12:30-16:30, për shkak të valës së të nxehtit. Masa të ngjashme po përgatiten edhe në rajone të tjera të Italisë.

Ndërkohë, rajonet e Napolit dhe Kalabrisë kanë forcuar personelin në urgjencat e spitaleve publike për shkak të rritjes së rasteve që lidhen me efektet e valës së të nxehtit, veçanërisht në ditët e fundit. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco