Bllokimi i procesit të pranimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian ka arritur nivele të tilla tensioni, saqë diplomatët në Bruksel po shqyrtojnë mundësinë e ndarjes së aplikimit të saj nga ai i Moldavisë – një skenar i paimagjinues më parë që rrezikon të thellojë më tej zhgënjimin e Kievit. Pavarësisht vlerësimeve pozitive nga Komisioni Evropian dhe përmbushjes së kushteve të vendosura për nisjen e fazës së parë të negociatave, vetoja e Hungarisë e udhëhequr nga kryeministri Viktor Orbán po e mban të bllokuar procesin.
Komisioni Evropian u shpreh të martën se “nuk ka arsye objektive” për të penguar Ukrainën të hapë grupin e parë të kapitujve negociues, të njohur si “Fundamentals”, që përfshin tema kyçe si sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, gjyqësori dhe prokurimi publik. Por Orbán, duke iu referuar një konsultimi kombëtar në të cilin, sipas tij, 95% e pjesëmarrësve kundërshtuan anëtarësimin e Ukrainës, ka përsëritur bllokadën. “Erdha këtu me një mandat të fortë”, deklaroi ai në samitin e javës së kaluar, duke theksuar se “nëse një vend anëtar i BE-së është në luftë, atëherë edhe BE është në luftë – dhe kjo nuk na pëlqen”.
Kievi, gjithnjë e më i frustruar nga bllokimi, ka paralajmëruar për pasojat politike të zvarritjes së procesit. “Një vonesë e mëtejshme mund të krijojë një precedent global – një arsye për të dyshuar në fjalën dhe angazhimet e Evropës”, tha presidenti Volodymyr Zelenskyy përpara liderëve evropianë. Ai nënvizoi se hapja e grupit të parë do të ishte një “vendim politik” që do të përcaktonte qartazi drejtimin evropian të Ukrainës.
Orbán ka qenë vazhdimisht kritik ndaj trajtimit që Ukraina u bën pakicave etnike, sidomos rreth 150 mijë hungarezëve që jetojnë në Transkarpati. Komisioni Evropian, megjithatë, vlerëson se Ukraina ka ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar situatën, përmes një plani veprimi që synon forcimin e mbrojtjes së të drejtave të pakicave dhe përputhjen e legjislacionit me standardet evropiane.
Ndërsa vendet e BE-së duhet të arrijnë një konsensus unanim për çdo hap në procesin e anëtarësimit, mungesa e përparimit ka çuar në diskutime për mundësinë e ndarjes së dosjeve të Ukrainës dhe Moldavisë – të dyja vendet u shpallën kandidate në të njëjtën ditë në qershor 2022. Megjithëse Moldavia nuk ka hasur në kundërshtime nga Hungaria, një ndarje e tillë shihet si një precedent i rrezikshëm, që mund të dëmtojë besimin e Ukrainës në premtimet evropiane dhe të krijojë perceptimin e një diskriminimi politik.
Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, e ka mbështetur qartë Ukrainën: “Nën presion të pamëshirshëm, Ukraina po kalon reforma pas reforme. Është mbresëlënëse. Ukraina ka dhënë rezultate – tani edhe ne duhet ta bëjmë këtë.”
Për momentin, situata mbetet e ngrirë. Komisioni Evropian është i qartë se Ukraina e meriton hapjen e negociatave, por pa një vendim unanim të 27 vendeve anëtare, rruga drejt anëtarësimit mbetet peng i politikave të brendshme të një shteti anëtar – duke lënë në pritje një vend që ndodhet ende në luftë, por që kërkon me këmbëngulje të bëhet pjesë e familjes evropiane.
© SYRI.net