Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ironizoi emigrantët e paligjshëm, duke sugjeruar se ata rrezikojnë të sulmohen nga kafshët e egra nëse përpiqen të arratisen nga një qendër paraburgimi në ndërtim në Florida. Presidenti amerikan e përshkroi këtë burg si 'Alcatraz me aligatorë'.
Kjo frazë, si dhe ndërtimi i kësaj qendre, kanë shkaktuar reagime të ashpra nga kritikët e politikave të Trump ndaj imigracionit, të cilët e konsiderojnë projektin “çnjerëzor”.
Trump pyetjes nëse çdo i arratisur rrezikon sulmin nga aligatorë ose gjarpërinj, iu përgjigj: “Mendoj se ky është arsyetimi”. Me shaka shtoi: “Gjarpërinjtë janë të shpejtë, por aligatorët… Do t’u mësojmë si të ikin nga aligatorët, në rregull? Mos vraponi drejt, vraponi në zig-zag. Shanset tuaja rriten me 1%”.
Presidenti pritet të vizitojë qendrën paraburgimore të ndërtuar në një ish-aeroport brenda Parkut Kombëtar Everglades, një ligatinë e mbrojtur në juglindje të Floridës. Shtëpia e Bardhë thotë se qendra do të akomodojë deri në 5,000 persona, ndërsa autoritetet lokale flasin për rreth 1,000 vende. Kostot operative pritet të arrijnë 450 milionë dollarë në vit.
“Ka vetëm një rrugë për të shkuar atje, dhe e vetmja rrugëdalje është një fluturim pa kthim. Vendndodhja është e izoluar, e rrethuar nga kafshë të egra dhe një mjedis i pamëshirshëm”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt.
Sipas saj, kjo masë është për të parandaluar përpjekjet e arratisjes, duke pasur parasysh se në qendër do të mbahen persona me rekorde kriminale të rënda.
Në Parkun Kombëtar Everglades jetojnë rreth 200,000 aligatorë, të cilët mund të arrijnë gjatësi mbi 4 metra. Megjithatë, sulmet ndaj njerëzve janë relativisht të rralla: nga viti 1948 deri më 2022, u regjistruan 453 kafshime aksidentale, përfshirë 26 vdekje, sipas Komisionit të Ruajtjes së Jetës së Egër të Floridës.
Autoritetet lokale kanë theksuar se rreziku ekzagjerohet qëllimisht. “Nëse dikush përpiqet të arratiset, nuk do të ketë shumë kohë për të pritur, vetëm aligatorë dhe pitonë”, tha Prokurori i Përgjithshëm i Floridës, James Attmeier.
Ndërtimi i kësaj qendre ka nxitur zemërim dhe protesta, sidomos në Los Angeles, ku operacionet për arrestimin e emigrantëve kanë shkaktuar incidente. Aktivistët mjedisorë kanë kritikuar gjithashtu ‘rrezikun e panevojshëm dhe të papranueshëm’ që kërcënon ekosistemin unik të më shumë se 2,000 specieve në Everglades. Syri.net-iefimerida
© SYRI.net