Danimarka ka ndërmarrë një hap të guximshëm për të mbrojtur qytetarët e saj nga keqpërdorimi i teknologjisë së inteligjencës artificiale duke propozuar një ligj që u jep njerëzve të drejtën e autorit mbi ngjashmëritë e tyre të përdorura në përmbajtje të rreme ose të manipuluara. Projektligji i mbështetur nga të gjitha partitë kryesore e ndalon ndarjen e “deepfake”-eve dhe imitimeve të tjera dixhitale pa pëlqimin e individit. “Ju keni të drejtë të keni trupin tuaj, zërin tuaj dhe tiparet tuaja të fytyrës”, deklaroi ministri i Kulturës, Jakob Engel-Schmidt.
Ligji vjen në një kohë kur teknologjitë manipuluese po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë të dallohet realiteti nga trillimi. Synimi është mbrojtja e qytetarëve nga dezinformimi dhe keqpërdorimi i pamjes së tyre, si dhe një paralajmërim për platformat teknologjike që u kërkohet të marrin përgjegjësi.
Danimarka nuk është vendi i vetëm që po ndërmerr masa kundër përmbajtjeve të rreme të gjeneruara nga IA. Në nivel më të gjerë, Bashkimi Evropian e ka përfshirë këtë çështje në Aktin për Inteligjencën Artificiale, duke klasifikuar përmbajtjen e rreme si “rrezik të kufizuar” dhe duke kërkuar transparencë nga kompanitë përmes filigranëve dhe etiketimeve të dukshme. Gjoba për mosrespektim mund të arrijë deri në 35 milionë euro.
Franca, nga ana tjetër, ka miratuar ligje që e bëjnë të paligjshme ndarjen e çdo përmbajtjeje vizuale ose audio të krijuar nga IA pa pëlqimin e personit të përfshirë. Shkelësit mund të përballen me deri në tre vjet burg dhe gjoba të rënda, veçanërisht në rastet e përmbajtjeve pornografike të manipuluara.
Në Mbretërinë e Bashkuar, ligjet e reja përfshijnë dënime deri në dy vjet burg për krijimin e deepfake-ve me përmbajtje seksuale dhe një sërë masash që detyrojnë platformat të heqin këtë material nga interneti. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se legjislacioni ende nuk kriminalizon krijimin privat të këtyre imazheve, duke lënë hapësira ligjore për abuzim.
Rregullimi i teknologjive gjeneruese të inteligjencës artificiale mbetet një sfidë e përbashkët për shoqëritë demokratike, që kërkojnë të ruajnë lirinë e shprehjes pa lejuar shkeljen e dinjitetit njerëzor apo përhapjen e mashtrimeve. Hapat e ndërmarrë nga Danimarka dhe vendet e tjera tregojnë një përpjekje të përbashkët për të vendosur kufij etikë dhe ligjorë në epokën e inteligjencës artificiale.
© SYRI.net