Prokuroria Publike në Beograd ka njoftuar arrestimin e tre personave, të dyshuar për planifikimin ‘për akte të dhunshme ndaj institucioneve qeveritare’ në Serbi.
Sipas njoftimit zyrtar, personat e arrestuar, të identifikuar me inicialet I.M., N.A. dhe B.M., dyshohet se më 21 qershor kanë zhvilluar një takim në një hotel në qytetin e Kralevës, ku kanë diskutuar organizimin e veprimtarive kundër institucioneve shtetërore.
Prokuroria deklaroi se të dyshuarit kishin planifikuar përdorimin e armëve dhe sulme ndaj institucioneve kyçe, përfshirë Qeverinë, mediat pro-qeveritare dhe ndërtesa të tjera shtetërore. Gjatë kontrollit, njërit prej tyre iu sekuestrua një armë zjarri dhe municion.
Në mesin e të ndaluarve është edhe Novica Antić, ish-kreu i Sindikatës Ushtarake të Serbisë, një figurë që është përmendur më parë nga burime perëndimore si i lidhur me ndikimin rus në vend.
Arrestimet kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik, veçanërisht pas ndalimit të studentit protestues Stefan Tomić, i cili u akuzua për thirrje për përmbysje të rendit kushtetues.
© SYRI.net