Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë arritur “fitore të mëdha” si në operacionin ushtarak ndaj Iranit ashtu edhe në samitin e NATO-s, që po zhvillohet në Holandë.
Gjatë konferencës, Trump u ndal veçanërisht për të lavdëruar pilotët amerikanë që morën pjesë në sulmin ajror mbi objektivat bërthamore iraniane.
“Ata mund të fluturojnë një avion më mirë se kushdo tjetër, duke hyrë në territor shumë armiqësor,” tha ai. “I goditën objektivat në mënyrë perfekte, edhe pse ishte errësirë totale, pa hënë, pa asnjë dritë – praktikisht errësirë absolute.”
Presidenti vazhdoi: “Kemi pasur një fitore të madhe atje [në Iran] dhe pastaj erdhëm këtu, dhe mendoj se kemi pasur një fitore të madhe edhe këtu,” duke iu referuar rezultateve që pretendon të ketë arritur gjatë takimeve me liderët e NATO-s.
Trump më tej theksoi se SHBA-ja “shkatërroi” objektet bërthamore të Iranit një pretendim që deri tani nuk është konfirmuar nga burime të pavarura apo ndërkombëtare.
Ai lavdëroi fuqinë ushtarake të SHBA-së, duke përmendur në mënyrë të veçantë edhe nëndetëset amerikane si pjesë kyçe të kapaciteteve mbrojtëse. Presidenti rikujtoi se tre objekte bërthamore në Iran ishin shënjestrat kryesore të sulmeve ajrore amerikane./BBC
© SYRI.net