Franca është tronditur nga një valë sulmesh me shiringa gjatë festivalit vjetor “Fête de la Musique”, ku 145 persona raportuan se janë therur në mënyrë të mistershme në ngjarje të ndryshme në mbarë vendin. Policia ka arrestuar 12 persona të dyshuar, ndërsa hetimet janë duke vijuar intensivisht.
Incidentet kanë ndodhur në qytete të ndryshme, përfshirë Parisin, ku vetëm në kryeqytet janë shënuar 13 raste.
Zyrtarët po hetojnë nëse janë përdorur substanca të rrezikshme si GHB apo Rohypnol, që lidhen me krime seksuale, ndërsa mbi një duzinë grash dhe vajzash të mitura janë shtruar në spital.
Influencues dhe autoritete kanë paralajmëruar më herët për thirrje në rrjetet sociale për të shënjestruar gra me injeksione gjatë festivalit. Në qytetin Metz, ku u raportuan 17 viktima të reja vajza, një sulmues u arrestua falë sistemit të mbikëqyrjes urbane.
Ministria e Brendshme franceze e ka cilësuar situatën “jashtëzakonisht serioze”, duke kujtuar se raste të ngjashme janë regjistruar edhe në vitet e kaluara në Francë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
© SYRI.net