Google mund të detyrohet të bëjë ndryshime të rëndësishme në shërbimet e saj të kërkimit në Mbretërinë e Bashkuar, në përpjekje për të nxitur konkurrencën dhe për të garantuar më shumë kontroll për konsumatorët dhe bizneset. Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve (CMA) njoftoi se po heton gjigantin amerikan të teknologjisë, në bazë të një ligji të ri që i jep mundësi rregullatorit të ndërhyjë kur një kompani konsiderohet me ndikim të madh në një treg specifik.
Google zotëron mbi 90% të kërkimeve online në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa rreth 200,000 biznese varen nga reklamat e saj për të arritur klientët. CMA ka përgatitur një “udhërrëfyes” me ndryshime të mundshme që Google duhet të marrë në konsideratë, përfshirë krijimin e ekraneve të “zgjedhjes” për përdoruesit që të kenë akses në motorë të tjerë kërkimi dhe më shumë transparencë për botuesit, përmbajtja e të cilëve shfaqet në rezultatet e kërkimit.
“Kërkimi në Google ka sjellë përfitime të jashtëzakonshme, por hetimi ynë deri më tani sugjeron se ka mënyra për t’i bërë këto tregje më të hapura, konkurruese dhe inovative,” tha drejtoresha ekzekutive e CMA-së, Sarah Cardell. Ajo shtoi se ndryshimet e propozuara do t’u jepnin bizneseve dhe konsumatorëve më shumë zgjedhje dhe kontroll në mënyrën se si bashkëveprojnë me shërbimet e Google.
Nga ana tjetër, kompania nën pronësinë e Alphabet e ka cilësuar qasjen e CMA-së si “të gjerë dhe të pafokusuar”, megjithatë ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me autoritetin rregullator.
Hetimi pritet të përfundojë në tetor, kur CMA do të marrë një vendim përfundimtar për masat që mund të imponojë ndaj Google. Ndërkohë, operacionet e kërkimit të kompanisë janë nën vëzhgim edhe në vende të tjera. Vitin e kaluar, një gjykatës amerikan konstatoi se Google kishte ushtruar një monopol të paligjshëm në tregun e kërkimeve, ndërsa Bashkimi Evropian e ka ndëshkuar me një gjobë prej 2.4 miliardë eurosh për “vetëpreferencë” të shërbimeve të veta.
Kjo lëvizje e Mbretërisë së Bashkuar sinjalizon një përqasje më të ashpër ndaj dominimit të teknologjive të mëdha në tregjet digjitale dhe kërkon të krijojë kushte më të drejta loje për konkurrentët dhe më shumë përfitime për përdoruesit.
© SYRI.net