Shtëpia e Bardhë: Trump gjithmonë i interesuar për një zgjidhje diplomatike me Iranin

Shtëpia e Bardhë: Trump gjithmonë i interesuar për një zgjidhje diplomatike me Iranin

17:24, 23/06/2025

 Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, ka deklaruar se presidenti Donald Trump, është gjithmonë i interesuar për një zgjidhje diplomatike me Iranin. Më pas ajo deklaroi në konferencën për shtyp se iranianëve u janë dërguar mesazhe publike dhe private pasi SHBA-të bombarduan tre objekte bërthamore iraniane.

“Nëse regjimi iranian refuzon të angazhohet në një zgjidhje diplomatike dhe paqësore, pse populli iranian nuk po e largon nga pushteti këtë regjim tepër të dhunshëm që i ka shtypur ata për dekada të tëra?” tha Caroline Levitt në Fox News.

Levitt përsëriti se këto objekte ishin shkatërruar plotësisht. Ajo tha gjithashtu se ky është një operacion që shumë presidentë e kanë ëndërruar në të kaluarën, por askush nuk ka pasur guximin ta bëjë, dhe Presidenti Trump e ka bërë. 

Mbrëmë, Trump shkroi në rrjetin e tij social Truth: “Nuk është politikisht korrekte të përdoret termi ‘ndryshim regjimi’, por nëse regjimi aktual iranian nuk është i aftë ta BËJË IRANIN PËRSËRI TË MADH, pse të mos ketë ndryshim regjimi?”

Sot, mes frikës së hakmarrjes iraniane, zëdhënësja e presidentit amerikan tha se Uashingtoni po “monitoron në mënyrë aktive situatën në Ngushticën e Hormuzit dhe se regjimi iranian do të ishte budalla” të sulmonte këtë rrugë strategjikisht të rëndësishme detare, përmes së cilës transportohet 20% e naftës botërore.

Përballë kritikave nga disa kongresmenë dhe senatorë demokratë, të cilët e akuzojnë Trumpin për tejkalim të kompetencave të tij për të nisur këtë sulm ndaj Iranit, Levitt argumentoi se "presidenti veproi brenda autoritetit të tij të ligjshëm, sipas Nenit II të Kushtetutës, si komandant suprem i Shteteve të Bashkuara".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco