Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin algjerian gjatë festës për titullin kampion të fituar nga Mouloudia e Algjerit. Gjatë ndeshjes përmbyllëse të kampionatit kundër Nc Magra, në stadiumin “5 Korriku 1962” të Algjerit, një parmak u shemb për shkak të turmës së madhe të tifozëve në tribunën e dytë, duke shkaktuar 3 viktima dhe 82 të plagosur, siç konfirmoi Ministria e Shëndetësisë.
Pamjet e përhapura në rrjetet sociale tregojnë një valë njerëzish që shtyhen njëri mbi tjetrin, derisa dhjetëra tifozë bien në zonën e medias pas shembjes së barrierës mbrojtëse. Ceremonia e titullit, që do të kurorëzonte suksesin e dytë radhazi të klubit të kryeqytetit, u anulua menjëherë.
Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, reagoi me një mesazh ngushëllimi:
“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e tifozëve që humbën jetën. Allahu i mëshiroftë dhe i pranoftë në parajsën e Tij. Uroj shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit."
Tragjedia vjen në një sezon të errët për futbollin algjerian. Sipas "Gazzette du Fenec", kampionati ka qenë i mbushur me kaos organizativ, udhëtime të vështira, ndeshje pa spektatorë dhe tension të vazhdueshëm. Vetëm 1 trajner nga 36 ka arritur të përfundojë sezonin në krye të skuadrës. Paga të papërballueshme dhe rezultate zhgënjyese kanë kthyer një kampionat që duhet të ishte festë, në burim frustrimi të madh.
© SYRI.net