Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar para gazetarëve se vendi i tij “nuk mund të zhvillojë negociata me SHBA-në ndërkohë që populli ynë është nën bombardime”.
Ai pretendon se “SHBA ka qenë e përfshirë në agresion që ditën e parë”, megjithëse nuk ofron prova konkrete për këtë akuzë.
Duke folur nga Stambolli, ku ndodhet për të vazhduar bisedimet diplomatike, Araghchi paralajmëron se përfshirja e SHBA-së në konfliktin në vazhdim mes Izraelit dhe Iranit do të ishte “shumë, shumë e rrezikshme”.
Kujtojmë se Presidenti amerikan Donald Trump miratoi më herët këtë javë planet për të goditur Iranin, por i pezulloi ato në pritje të një marrëveshjeje për ndalimin e programit bërthamor iranian.
Ministri iranian shton se është “plotësisht i gatshëm për një zgjidhje të negociuar për programin tonë bërthamor”.
Në vitin 2015, Irani arriti një marrëveshje afatgjatë për programin e tij bërthamor me një grup fuqish botërore, pas viteve të tensionuara për shkak të dyshimeve për zhvillimin e një arme bërthamore.
“Diplomacia ka funksionuar në të kaluarën dhe mund të funksionojë sërish në të ardhmen. Për t’u kthyer te diplomacia, agresioni duhet të ndalet”, përfundon Araghchi./BBC
© SYRI.net