Diplomacia në garë me kohën mes përshkallëzimit të konfliktit Izrael-Iran

Diplomacia në garë me kohën mes përshkallëzimit të konfliktit Izrael-Iran

08:22, 20/06/2025

Konflikti i hapur mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në javën e dytë, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje diplomatike janë intensifikuar ndjeshëm. Ministrat e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë do të takohen këtë të premte në Gjenevë me homologun iranian, Abbas Araqchi, në një përpjekje për të ulur tensionet që po rriten mbi programin bërthamor të Teheranit.

Bisedimet zhvillohen në një moment vendimtar, pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do të vendosë brenda dy javësh nëse do të bashkohet me fushatën ushtarake izraelite kundër Iranit. “Presidenti do të marrë një vendim nëse do ta sulmojë Iranin brenda dy javësh,” deklaroi Shtëpia e Bardhë të enjten, duke theksuar se kanalet e komunikimit me Teheranin janë ende të hapura dhe një zgjidhje diplomatike mbetet e mundshme.

Gjeneva, që do të presë bisedimet, ka një rëndësi simbolike, pasi aty u arrit edhe marrëveshja e vitit 2013 për kufizimin e aktivitetit bërthamor të Iranit. Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, pas një takimi në Uashington me Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe të dërguarin presidencial Steve Witkoff, e përshkroi situatën në Lindjen e Mesme si “të rrezikshme”. “Diskutuam se si një marrëveshje mund të shmangte një konflikt në thellim,” tha Lammy, duke shtuar se “tani ekziston një dritare brenda dy javëve të ardhshme për të arritur një zgjidhje diplomatike”.

Nga ana tjetër, Ambasadori i Iranit në OKB në Gjenevë, Ali Bahraini, kërkoi që vendet evropiane të dënojnë qartë Izraelin dhe të ndalojnë mbështetjen ndaj tij. “Gjëja minimale që evropianët mund të bëjnë është të dënojnë në mënyrë shumë të qartë Izraelin,” u shpreh ai për Euronews.

Tensionet vijojnë të përshkallëzohen edhe në fushën ushtarake. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, deklaroi se udhëheqësi suprem i Iranit “nuk mund të lejohet më të ekzistojë”, në një qëndrim që sinjalizon përshkallëzim të mëtejshëm të retorikës dhe veprimeve ndërmjet dy shteteve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco