Në një nga momentet më kritike të presidencës së tij, Donald Trump vijon të qëndrojë besnik ndaj tiparit më të dallueshëm të udhëheqjes së tij, paparashikueshmërisë.
I përballur me mundësinë e një konflikti të hapur me Iranin, presidenti amerikan lëviz midis paralajmërimeve të ashpra dhe ftesave për negociata, pa sqaruar nëse synon ndërmarrjen e një ndërhyrjeje ushtarake apo ndjekjen e një zgjidhjeje diplomatike.
“Mund ta bëj, mund edhe të mos e bëj. Askush nuk e di çfarë do të bëj,” u shpreh Trump, kur u pyet nëse kishte vendosur të sulmonte ushtarakisht Iranin.
Deklarata ishte një ndër të shumtat që ai dha të mërkurën, duke lënë të hapura të gjitha skenarët dhe duke krijuar një përzierje të paqartësisë me frenimin strategjik.
Trump pretendoi se Irani ‘është futur në telashe’ dhe tani kërkon të negociojë, madje sipas tij, ka shprehur dëshirën të vizitojë Shtëpinë e Bardhë.
Më vonë gjatë ditës, ai foli për një rënie të mundshme të regjimit iranian (‘çdo gjë mund të ndodhë’), për takime të mundshme në Dhomën e Luftës (ose “Dhomën e Situatave”), por sërish shmangu çdo përgjigje të prerë.
“Unë preferoj t’i marr vendimet përfundimtare një sekondë para se të nevojiten. Sepse, veçanërisht në luftë, gjithçka ndryshon. Mund të kalosh nga një ekstrem në tjetrin. Lufta është shumë e keqe,” u shpreh ai.
Qëndrimi i Trump pasqyron më tepër stil personal të udhëheqjes, sesa një strategji të mirëmenduar politike.
“Politika vjen nga lart. Presidenti është i fuqishëm, por edhe i paqëndrueshëm. Kjo e bën të vështirë të jesh kundërshtar, aleat apo qytetar,” komentoi diplomati dhe ish-presidenti i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, Richard Haass. Syri.net-Kathimerini
© SYRI.net