Grupi i hakerëve ‘Gonjeshka Darande’ dyshohet se vodhi mbi 90 milionë dollarë nga Nobitex, kompania më e madhe e kriptomonedhave në Iran.
Pas vjedhjes, fondet u transferuan në një vendndodhje nga ku nuk mund të rikuperohen.
Ky grup është i njohur për sulmet ndaj objektivave iraniane. Pas një periudhe relative qetësie, ata u rikthyen pas fillimit të sulmeve izraelite ndaj Iranit javën e kaluar.
Në një njoftim në Telegram dhe X, hakerët e cilësuan Nobitex si ‘një mjet kyç të regjimit për financimin e terrorizmit dhe shkeljen e sanksioneve’.
Gjithashtu, ata kërcënuan se do të publikojnë kodin burimor të Nobitex dhe informacionet nga rrjeti i tij i brendshëm.
Përveç kësaj, grupi pretendon se qëndron pas sulmit të së hënës ndaj Bank Sepah, një bankë shtetërore iraniane nën kontrollin e Gardës Revolucionare.
Sipas BBC-së, ‘Gonjeshka Darande’ besohet të ketë lidhje të ngushta me Izraelin. I njëjti grup dyshohet se ka shkaktuar një zjarr shkatërrues në një fabrikë çeliku iraniane në vitin 2022, një nga rastet e rralla kur një sulm kibernetik ka shkaktuar dëme fizike dhe ka rrezikuar jetë njerëzish.
© SYRI.net